Rama: Shqipëria më afër BE-së se kurrë më parë
Në prag të fillimit të takimit të liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor...

Në prag të fillimit të takimit të liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Shkup për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se Shqipëria asnjëherë më parë nuk ka qenë më afër BE-së dhe realizimit të aspiratës shekullore.
Rama shtoi se të gjitha detyrimet do të përmbushen brenda afateve të përcaktuara së bashku me Komisionin Evropian.
“Sot jemi këtu për një tjetër ndalesë të rrugës së përbashkët, që lidhet me zbatimin e Planit të Ri të Rritjes, një plan i cili po ecën si duhet dhe po na afron për t’u lidhur më shumë me Bashkimin Evropian. Ne jemi shumë krenarë, sepse kemi përmbushur praktikisht deri më tani, të gjitha pikat për zbatim dhe vazhdojmë me pikat e tjera sipas kalendarit. Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumëshekullore, do thosha dhe nga ana tjetër, më vjen mirë që ka një atmosferë të përgjithshme pozitive në këtë drejtim. Besoj shumë që ne do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona, siç kemi paraparë edhe afatet me Komisionin Evropian dhe plani i përbashkët do të realizohet plotësisht.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kurti: Marrëveshjet e përbashkëta, rezultat i Qeverisë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në nisje të takimit tha se të gjitha bashkëpunimet me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, janë rezultat i marrëveshjeve të përbashkëta që i kanë bërë me kryeministrin Hristijan Mickoski, në mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive.
“Me këtë rast ne kemi pasur një darkë paraprake mbrëmë ku kemi diskutuar për Planin e Rritjes, por për mua është çdoherë kënaqësi që të vij në Shkup, sidomos tash që kemi pikat e përbashkëta të kontrollit kufitar: Hani i Elezit – Bllacë, e cila më 12 prill u vu në funksion, dhe Glloboçicë-Jazhincë, e cila u vu në funksion sivjet më 28 maj.”, - theksoi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE, ndërsa Plani i Rritjes synon të përshpejtojë reformat dhe t’i përgatisë ato për anëtarësim.
Nga fondi prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovës i janë ndarë rreth 900 milionë – një pjesë në formë granti dhe një formë si kredi. Kosova nuk mund t’i pranojë këto fonde pa e ratifikuar marrëveshjen për kredi në Kuvend, që mund të pasojë pas konstituimit të Kuvendit të ri. Shqipërisë i janë ndarë 64.5 milionë euro, prej të cilave 30 milionë janë si kredi për mbështetje të reformave dhe 34.5 milionë euro do të ndahen përmes Fondit të Ballkanit për Investime për infrastrukturë. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
