Rajon

40 dështime të seancës konstituive, të mërkurën liderët në takim te presidentja

01.07.2025 14:20

As vazhdimi i 40-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës nuk rezultoi me zgjedhjen e kryeparlamentarit....

As vazhdimi i 40-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës nuk rezultoi me zgjedhjen e kryeparlamentarit. Partitë opozitare përsëri nuk votuan për formimin e komisionit për votim të fshehtë, prandaj kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ndërpreu seancën. Derisa pushteti dhe opozita nuk po gjejnë kompromis për konstituimin e Kuvendit, një përpjekje e radhës për harmonizim qëndrimesh do të bëhet në takimin e thirrur për të mërkurën te presidentja e shtetit. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga presidentja, Vjosa Osmani. 
 
“Ne ka dy-tre muaj që po mundohemi që të gjejmë zgjidhje për të ofruar kompromise për të dalë nga kjo situatë. Shpresojmë që e njëjta gjë të ndodhë nga LVV. Nesër do të jem te presidentja. Ne kemi pasur kërkesë qysh herët që presidentja të marrë rolin e saj të involvohet.”, - deklaroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. 
 
“Shkojmë kudo që marrim ftesë, bën mirë që na mbledh presidentja. Dhe bëjmë mirë që të kemi një qëndrim mbi këtë çështje.”, - theksoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. 
 
Në takim është ftuar edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe liderët e partive tjera politike. Ky është takimi i dytë i liderëve që thirret nga presidentja, ndërsa takimi i parë nuk solli ndonjë rezultat për zhbllokimin e ngërçit politik.
 
GYLTENE SINANI