Botë

Vala e të nxehtit ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës

01.07.2025 14:41

I nxehti ekstrem ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës...

I nxehti ekstrem ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës. Autoritetet në Francë, Spanjë, Portugali, Itali, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar lëshuan paralajmërime për temperatura të larta mbi 40 gradë celsius. Moska gjithashtu po thyen rekorde me temperaturat më të ulëta të regjistruara për qershor dhe fillim të korrikut, me vetëm 12 gradë.
 
“Nuk e duroj dot, më ul tensionin e gjakut dhe kam marramendje.”, - tha një qytetar spanjoll.
 
“Mbrëmë ishte tmerrshëm. Nuk munda të flija fare.”, - tha një qytetar tjetër spanjoll.
 
Franca ka mbyllur shkollat për shkak të motit të nxehtë.
 
"Është një çështje sigurie. Fëmijët nën rrezet e diellit dehidratohen jashtëzakonisht shpejt në qytetin më me diell në Francë.", - u shpreh një qytetar francez.
 
Për shkak të temperaturave të larta, disa linja treni në Belgjikë janë anuluar.
 
"Me këtë lloj vale të nxehti dhe kushte ekstreme të motit, nuk mund të përjashtohet një prishje e pajisjeve hekurudhore. Qëllimi është të bëhet gjithçka që është e mundur për të siguruar që udhëtimi të jetë më i rehatshëm dhe më i sigurt.", - deklaroi zëdhënësi i kompanisë kombëtare hekurudhore të Belgjikës, Vinsent Bajer.
 
Gjermanët po kërkojnë strehim nga vapa brenda nëpër shtëpi ose në liqene dhe pishina. Nuk priten temperatura më të ulëta deri të enjten.
 
"Sinqerisht, unë nuk dal jashtë. Vetëm natën.", - tha një qytetar gjerman.
 
"Vala e të nxehtit do të arrijë kulmin të mërkurën me temperatura të larta mbi 35 gradë në perëndim. Megjithatë, kjo nuk është ende një rekord për Gjermaninë në tërësi.", - theksoi Tim Steger nga Qendra e Matjeve Meteorologjike në Frankfurt.
 
Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike “Koperniku” thotë se Evropa po ngrohet me rreth dyfishin e normës mesatare globale.
 
"Patjetër që duhet të mësohemi me motin gjithnjë e më të ngrohtë. Evropa po përshtatet mirë me valët e të nxehtit, por ka ende shumë punë për të bërë, për të siguruar që shoqëria të mund të bëhet elastike dhe të ketë strehimore të freskëta në qytete, e më shumë hapësira të gjelbra.", - u shpreh zëvendësdrejtoresha e Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike “Koperniku”, Dr. Samanta Burges. 
 
Vala aktuale e të nxehtit tregon urgjencën e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike, thonë Kombet e Bashkuara.
 
"Kriza klimatike është një krizë e të drejtave të njeriut. Rritja e temperaturave, rritja e nivelit të detit, përmbytjet, thatësirat dhe zjarret kërcënojnë të drejtat tona për jetë, për shëndet, për një mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm dhe shumë më tepër. Vala e të nxehtit që po përjetojmë këtu tani na tregon rëndësinë e masave të adaptimit, pa të cilat të drejtat e njeriut do të prekeshin seriozisht.", - deklaroi komisionari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk.
 
Rreziku i zjarreve është në rritje. Zjarret kanë përfshirë pjesë të Francës dhe Kroacisë. Flakët kanë shkatërruar pothuajse 19.000 hektarë tokë në të gjithë Turqinë. Ekipet e shpëtimit kanë evakuuar më shumë se 50.000 njerëz, kryesisht nga provinca perëndimore turke e Izmirit.
 
FITORE DEMOLLI