FSSh: Dy ilaçe onkologjike në listën primare pozitive

01.07.2025 16:01

Drejtorët e Përgjithshëm të Fondit për Sigurime Shëndetësore...

Drejtorët e Përgjithshëm të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Sasho Klekovski dhe Branko Axhigogov, informuan për tre risi - dy ilaçe onkologjike të transferuara nga spitali në listën primare pozitive, një periudhë të zgjatur në të cilën personat e siguruar mund të arrijnë rehabilitim, si dhe një hapësirë më të madhe dhe mbështetje moderne për pajisje ortopedike dhe pajisje të tjera.

Theksuan se këto janë risi të rëndësishme, të cilat përmirësojnë drejtpërdrejt qasjen  dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore për personat e siguruar.

“Në këtë zgjerim të listës pozitive të ilaçeve do të shtojmë dy ilaçe shumë të rëndësishme në listën pozitive dhe që të dyja këto ilaçe janë onkologjike, pra dy ilaçe frenuese të aromatazës (letrozol, anastrazol). Këto dy ilaçe përdoren në trajtimin e kancerit të gjirit dhe përdoren nga rreth 2.500 persona. Të dy ilaçet më parë shpërndaheshin në Klinikën për Onkologji dhe Radioterapi, tani e tutje do të shpërndahen në farmaci, me recetë. Ndryshimi është me kërkesë të pacientëve dhe të klinikës, me qëllim që të zvogëlohet barra mbi pacientët dhe klinikën. Pacientët deri më tani janë dashur të vijnë në klinikën në Shkup për t'i marrë dhe procesi vetëm në klinikë zgjat 2-3 orë.”, - deklaroi drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Sasho Klekovski.

Sipas drejtorit të Fondit, këto masa janë të rëndësishme për personat me sëmundje kronike, sipas nevojave individuale mjekësore dhe gjendjes së pacientëve.

Ai shpjegoi gjithashtu se me ndryshimet në rregulloren për pajisjet ortopedike dhe të tjera po punohet për mbulim më të madh dhe mbështetje moderne. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)