Maqedoni
MPSDR prezantoi bilancin vjetor, rritje pensionesh, kopshte të reja dhe punësime
02.07.2025 13:49
Rritja e pensioneve për 5.000 denarë, ueb faqe e përshtatur për personat me aftësi të kufizuara...

Rritja e pensioneve për 5.000 denarë, ueb faqe e përshtatur për personat me aftësi të kufizuara, projekte të shumta për ndërtimin dhe rikonstruimin e kopshteve dhe punësimin dhe avancimin e stafit të tyre, këto janë disa prej të arriturave në kuadër të punës njëvjeçare të Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Ministri dhe zëvendësministri i këtij dikasteri, Fatmir Limani dhe Gjoko Vellkovski, thanë se kujdesi dhe mbrojtja sociale ndaj më të moshuarve, fëmijëve dhe të rinjve do të vazhdojë gjatë këtij viti dhe vitin e ardhshëm.
“Aktualisht janë përfunduar mbi 15 projekte për ndërtimin dhe pajisjen e kopshteve që do të ofrojnë kujdesin për 1.500 fëmijë, shtuar çerdhen në Çair me kapacitet për 350 fëmijë. Deri në fund të vitit 2025 do të hapen edhe mbi 11 objekte të reja me kapacitete me mbi 1.100 fëmijë. Në kuadër të angazhimit tonë për përmirësimin e kapaciteteve kadrovike, deri më tani kemi siguruar rreth 550 punësime të reja në kopshtet e fëmijëve, 120 pëlqime për punësime nëpër institucionet publike për mbrojtje sociale, 100 punësime në qendrat për punë sociale, si dhe 65 punësime dhe avancime në kuadër të ministrisë sonë.”, - deklaroi ministri për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Fatmir Limani.
“Çdo masë dhe çdo projekt që e kemi zbatuar synonte përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve, e në veçanti mbështetjen e atyre që janë më të prekur nga sfidat sociale, ekonomike, kategoritë të rrezikuara, të rinjtë dhe familjet tjera. Me vizion të qartë dhe hapa konkrete me masat që kanë ndikim të drejtpërdrejtë për cilësinë e jetës.”, - theksoi zëvendësministri për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Gjoko Vellkovski.
Paralelisht përfaqësuesit e këtij dikasteri po zhvillojnë bisedime me organizatat sindikaliste për marrëveshjet e reja kolektive, të cilat kanë të bëjnë me rritjen e pagave të të punësuarve në ministri, qendrave për mbrojtje sociale dhe kopshteve.
REXHEP QAMILI
