Maqedoni
Integrimi, Tripodi: Italia ju mbështet në këtë rrugëtim
02.07.2025 14:01
Për Italinë, integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është i rëndësishëm...

Për Italinë, integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është i rëndësishëm, shprehet zëvendësministrja e Jashtme italiane, Maria Tripodi, duke shtuar se do të qëndrojnë pranë vendit tonë në çdo hap të mëtutjeshëm.
“Investojmë resurse, kapital politik në përkrahjen e përafrimit të tërë rajonit në Bashkimin Evropian dhe Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është përjashtim dhe duam ta shoqërojmë në secilën fazë në rrugën e saj eurointegruese.”, - deklaroi zëvendësministrja e Jashtme e Italisë, Maria Tripodi.
Mucunski: Mbetet strategji, por jo me çdo kusht
Aspiratat eurointegruese vazhdojnë, por jo me çmim të interesave nacionale. Për ministrin e Jashtëm, Mucunski, për keqardhje është situata që në shekullin 21 ende tentohet të kontestohet identiteti, për të cilin më të çuditshëm e bën fakti se këtë e bëjnë vendet që i thonë vetes evropianë. Integrimin nuk e pengojnë vetëm ndryshime kushtetuese, thotë ai.
“Thelbi i problemit është se sinjalet dhe ajo që kemi dëgjuar edhe nga Bullgaria për një kohë të gjatë është se nuk bëhet fjalë vetëm për ndryshime kushtetuese. Dhe ku u identifikua kjo më së miri dhe më saktë, në Parlamentin Evropian, ku pamë se ka një propagandë aktive për fat të keq, në një konotacion negativ, të cilin e mbështet edhe Sofja zyrtare për modifikimin, pra modernizimin e identitetit kombëtar maqedonas. Në të njëjtën kohë, askush nuk e di se çfarë do të thotë ”identiteti modern” dhe “gjuhë moderne”. Dhe kjo është arsyeja pse themi, diskutojmë hapur, nuk pranojmë çfarëdo lloj kompromisi.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
Këto komente u thanë në Forumin e biznesit mes Italisë dhe Maqedonisë së Veriut, iniciativë e ngritur nga viti i kaluar në sferën e investimeve dhe tregtisë. Në vitin 2024, shkëmbimi tregtar mes Italisë dhe RMV-së ka shkuar në 560 milionë euro.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
