Maqedoni
Komuna e Kërçovës realizoi aksionin për dhurimin e gjakut
02.07.2025 14:14
Komuna e Kërçovës sot realizoi me sukses aksionin për dhurimin e gjakut, i cili zhvillohet në kuadër të programit për Mbrojtje Shëndetësore dhe Sociale...

Komuna e Kërçovës sot realizoi me sukses aksionin për dhurimin e gjakut, i cili zhvillohet në kuadër të programit për Mbrojtje Shëndetësore dhe Sociale. Aksioni për grumbullimin e gjakut ka gjetur mbështetjen e punëtorëve të administratës komunale dhe qytetarëve, të cilët edhe sot e dëshmuan vullnetin e tyre humanitar për të ndihmuar njerëzit, tha kreu i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.
“E para që dua të theksoj është të falënderoj të gjithë dhuruesit e gjakut, të cilët janë të gatshëm të dëshmojnë pjesën e humanitetit të tyre. E dyta, dua të falënderoj Kryqin e Kuq, të cilin e kemi krahë të djathtë në shumë aktivitete dhe Institutin e Transfuziologjisë, i cili u është përgjigjur gjithmonë kërkesave tona. Siç e shihni, interesimi i qytetarëve është i madh dhe ne me këtë dëshmojmë se ne përpiqemi të jemi afër qytetarëve dhe të gjithë atyre që kanë nevojë për ndihma të këtilla.”, - deklaroi kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.
Ndërkaq sekretari i Organizatës së Kryqit të Kuq në Kërçovë, Besnik Selimi, i shprehu mirënjohje komunës së Kërçovës për këtë aksion, i cili zhvillohet në një periudhë kohore ku rezervat e gjakut janë më të vogla.
“Aksioni i sotëm vullnetar është në kuadër të programit vjetor të aksioneve për dhurimin e gjakut, i cili zhvillohet nga Kryqi i Kuq dhe Instituti i Transfuziologjisë, por i iniciuar dhe konkretizuar nga komuna e Kërçovës. U mirëprit nga ana jonë, duke pasur parasysh se në këtë periudhë të vitit rezervat e gjakut janë më të vogla dhe tani kemi më shumë nevojë për njësi gjaku.”, - theksoi sekretari i OKK-së në Kërçovë, Besnik Selimi.
Aksioni u zhvillua me sukses, sepse interesimi i punëtorëve të administratës komunale dhe vullnetarëve të shumtë që kanë shprehur gatishmërinë për të dhuruar gjakun e tyre ka qenë i madh, nënvizoi Selimi.
SHABAN DALIPI
