Maqedoni

Filloi debati për ribalancin e buxhetit 2025, LSDM-ja kundërshton, dorëzon 160 amendamente

02.07.2025 14:42

Kuvendi ka nisur debatin për ribalancimin e buxhetit....

Kuvendi ka nisur debatin për ribalancimin e buxhetit. Ndryshimet e propozuara në Buxhetin për vitin 2025 përforcojnë politikën fiskale dhe synimin për konsolidim dhe menaxhim më efikas të financave publike, theksoi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, gjatë diskutimit në Komisionin për Financa dhe Buxhet. Ai bëri të ditur se të ardhurat totale janë planifikuar në 362.4 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në 403.7 miliardë denarë, që paraqet një rritje prej rreth 3.5 miliardë denarësh ose 1% më shumë se parashikimet fillestare.
 
“Bruto Prodhimi Vendor në kuatralin e parë të vitit 2025, në krahasim me të njëjtin kuartal të vitit 2024 ka shënuar rritje në bazë reale prej 3.2 për qind, me çka është ruajtur trendi pozitiv i pjesës së dytë të vitit 2024. Pavarësisht pasigurive në mjedisin e jashtëm, të shkaktuara nga krizat politike dhe gjeopolitike, si dhe ulja e kërkesës nga partnerët kryesorë tregtarë, ekonomia vendore ka shënuar një nga rritjet më të larta në Evropë.”, - deklaroi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankulovski.
 
Këshilli Fiskal i vendit po ashtu ka dorëzuar mendim deri tek Komisioni Parlamentar për Financa dhe Buxhetit, ku ka theksuar se kësaj rritjeje duhet t’i jepet hapësirë ndërkombëtare. 
 
“Kur rritja shënon deri në një nivel të caktuar, duhet që politikat makroekonomike gradualisht t’i lëshojnë vend tregut ndërkombëtar, sektorit privat, që më shumë të eksportojnë. Në këtë aspekt, rritja prej 3.5 për qind është një indikacion se nuk mund të mbajmë një deficit buxhetor në një afat më të gjatë në rreth 4 për qind, me qëllim që ta stimulojmë rritjen vendore.”, - theksoi kryetari i Këshillit Fiskal të RMV-së, Gligor Bishev. 
 
Sipas projeksioneve, Bruto Prodhimi Vendor mbetet në 3.7 për qind dhe inflacioni parashikohet në 2.8 për qind. Deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar në 41.3 miliardë denarë ose 4 për qind. Por të gjitha këto janë të pakënaqshme për partinë më të madhe opozitare LSDM, të cilët në shenjë pakënaqësie kanë dorëzuar 160 amendamente.
 
“Qeveria po shkurton mjete nga qytetarët, me qëllim që të kenë më shumë mjete në dispozicion për jetë luksoze të funksionarëve. Me këtë ribalancë, Qeveria po i ndërpret subvencionet dhe transferet sociale për 30 milionë euro, e cila është një goditje e drejtpërdrejtë mbi bujqit, mbi punëtorët, familjet me të ardhura të ulëta dhe familjet e rrezikuara sociale. Në të njëjtën kohë, Qeveria po i rrit mjetet për aventura të shtrenjta të funksionarëve.”, - u shpreh Sanja Llukarevska nga LSDM. 
 
Debati në Komisionin Parlamentar për Financim dhe Buxhet pritet të zgjasë, sepse për të njëjtën janë dorëzuar mbi 200 amendamente nga partitë politike.  
 
FITIM KRYEZIU