Deklarimi i Kosit për identitetin, opozita kritikon pushtetin për fushatën negative
Deklarata e komisionares për zgjerim të BE-së, Marta Kos...

Deklarata e komisionares për zgjerim të BE-së, Marta Kos, rreth perceptimit të identitetit ka nxitur kritikat e opozitës në drejtim të pushtetit.
BDI ka kritikuar ministrin për Integrime Evropiane, Orhan Murtezani, që ka lejuar fushatën negative pas deklaratës së komisionares Kos, e cila sipas tyre nuk ka pasur qëllime dashakeqe, pasi është mike e vendit në rrugëtimin eurointegrues.
“Nuk duhej të lejohej që deklarata e komisionares se “identiteti nuk është çështje e kushteve politike, por thelb i dinjitetit njerëzor dhe shprehje e veçantisë së tij”, të kthehej në objekt fushate urrejtjeje dhe përqeshjeje. Aq më pak të nxitej një reagim i tillë nga burime afër pushtetit. Ministri për Integrime Evropiane, Orhan Murtezani, nuk e pa të arsyeshme të mbrojë publikisht këtë qëndrim. Me qëndrimet e tij të pasakta dhe relativizuese, ai u bë pjesë e një qasjeje që rrezikon marrëdhënien me një prej zërave më të fuqishëm që mbështet rrugën tonë drejt BE-së.”, thonë nga BDI në kumtesë.
Edhe socialdemokratët konsiderojnë se Kosi nuk kishte qëllime të këqija kur ka folur për identitetin, por kanë apeluar të mos nxiten reagime pas një deklarimi të tillë kur e dinë se temat e tilla identitare janë qartë të mbyllura.
“Presim që eurokomisionarja Kos të deklarojë atë që e ka vërtetuar BE-ja në të gjitha dokumentet dhe marrëveshjet, se Unioni ka pranuar plotësisht gjuhën dhe identitetin maqedonas. Ky është një fakt i pakontestueshëm dhe ne qytetarët e Maqedonisë e dimë se kush jemi. Konsiderojmë se eurokomisionarja nuk kishte qëllim të keq, por apelojmë që të kihet kujdes në deklaratat për çështje të ndjeshme të mbyllura.”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Mickoski: Opozita vazhdon tradhtitë pas kurrizi
Por, kryeministri Hristijan Mickoski tha se reagimet e opozitës janë vazhdimësi e tradhtive dhe dështimeve që kanë bërë në të kaluarën. Ai konsideron se çështjet identitare janë shitur nga ish-pushteti dhe qeveria aktuale po korrigjon gabimet.
“Përderisa ne si qeveri po luftojmë fuqishëm të rikthejmë pozicionet, të cilat ata në të kaluarën i shitën sikurse interesat kombëtare të shtetit. Ata tani prapa kurrizit po përpiqen të na venë ngarkesë shtesë. Ne jemi të fuqishëm dhe këtë do ta tejkalojmë. Mendoj se opozita po bën politika të gabuara. Politika e kurrizit të shtrembëruar, tradhtive, nënshkrimit të marrëveshjeve na sollën në këtë situatë.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mickoski tha se vazhdimisht kanë ftuar për konsensus nacional, por opozita nuk po ndërvepron ngjashëm edhe përkundër deklarimeve me qëllimin e vetëm kthimin në pushtet.
Ditë më parë komisionarja për zgjerim, Marta Kos, tha se identiteti asnjëherë nuk duhet të jetë objekt i vendimit politik, por identitet është se si ndjehemi, si e ndjejmë atdheun tonë dhe si kujdesemi për objektet e kultit dhe ushqimet tradicionale. (Meral Ismaili, TVM2)
