Botë

Tramp: Izraeli pajtohet për armëpushim 60-ditorë në Gazë

02.07.2025 15:28

Tramp ka deklaruar se Izraeli ka rënë dakord për të finalizuar një marrëveshje armëpushimi 60-ditore në Rripin e Gazës....

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, ka deklaruar se Izraeli ka rënë dakord me “kushtet e nevojshme” për të finalizuar një marrëveshje armëpushimi 60-ditore në Rripin e Gazës.  Gjatë periudhës së paqes “ne do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës”, ka thënë Trampi.
 
“Netanjahu dëshiron t’i japë fund luftimeve në Gazë. Mund t’ju them që ai dëshiron. Besoj se do të kemi një marrëveshje javën që vjen.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Sipas tij, Katari dhe Egjipti, që kanë luajtur rol kyç në ndërmjetësim, do ta dorëzojnë propozimin përfundimtar tek palët.
 
“Shpresoj që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të ketë një ofertë më të mirë, do të shkojë vetëm përkeq,” deklaroi presidenti amerikan, Tramp, pas takimit në Uashington me një delegacioni izraelit.
 
Edhe ambasadori i Izraelit në OKB, Dani Danon, ka konfirmuar se Izraeli është “absolutisht” i gatshëm për armëpushim, por mbetet e paqartë nëse Hamasi do të pranojë kushtet e propozuara, të cilat nuk janë bërë publike.
 
Hamas: Pranojmë marrëveshjen, nëse ndalet lufta në Gazë
 
Ndërkohë Hamasi ka bërë të ditur se është i gatshëm të pranojë një marrëveshje për armëpushim me Izraelin, megjithatë këmbëngul se çdo marrëveshje duhet të çojë në përfundimin përfundimtar të luftës në Gazë.
 
“Hamasi është gati dhe serioz për të arritur një marrëveshje” dhe shtoi se Hamasi është “i gatshëm të pranojë çdo iniciativë që qartë çon në përfundimin e plotë të luftës”, citohet të ketë deklaruar zyrtari i Hamasit, Taher al-Nunu.
 
Ndërkohë përfaqësuesi i Përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, Fu Kong, deklaroi se paqja e përhershme në Gazë nuk mund të sigurohet me rrugë ushtarake. Ai tha se Kina i bën thirrje Izraelit që të ndalojë menjëherë të gjitha operacionet ushtarake në Gazë, pasi vuajtjet e popullit palestinez po rriten.
 
ABIBE QAILI