Administrata publike, Minçev: Nuk do të ketë më punësime partiake

02.07.2025 15:54

Nuk ka më vend për punësime partiake...

Nuk ka më vend për punësime partiake, deklaroi ministri i Administratës Publike, Aleksandar Minçev, në prezantimin e rezultateve kyçe të një viti qeverisjeje dhe hapave reformuese që, siç tha, kanë vendosur themelin e një kulture të re të menaxhimit në sektorin publik.

“Formimi i Ministrisë së Administratës Publike nuk ishte një veprim burokratik. Ishte një mesazh politik. Një mesazh se nuk ka më vend për punësime partiake, për institucione jofunksionale, për marrëveshje të fshehta dhe për mungesë të të mësuarit, duke theksuar se administrata publike nuk duhet më të jetë “zonë e mbrojtur për individë të privilegjuar”, por shërbim për qytetarët.”, - deklaroi ministri i Administratës Publike, Aleksandar Minçev.

Si sukses Minçevi e veçoi korrigjimin e balancuesit, pra metodologjinë për llogaritjen e përfaqësimit etnik në administratën publike.

“Llogaritjen e kemi harmonizuar me Ligjin në fuqi të asaj kohe, bazuar në popullsinë rezidente reale dhe jo më mbi llogaritjen e mëparshme të popullsisë jorezidente.”, - theksoi ministri i Administratës Publike, Aleksandar Minçev.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim ka kritikuar ashpër projektligjin e ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke e cilësuar atë si një mjet të centralizuar, i cili, sipas tyre, mbron status quo-në diskriminuese dhe thellon pabarazitë në përfaqësimin etnik, duke anashkaluar detyrimet kushtetuese. Pavarësisht kritikave, kryeministri Mickoski e ka përshkruar projektligjin si një hap drejt një kapitulli të ri të profesionalizmit në administratën publike, si në nivel shtetëror, ashtu edhe lokal.

Sipas tij, me këtë ligj vendoset ekuilibri dhe hidhet themeli për një administratë profesionale, transparente, moderne dhe me përfaqësim të fuqishëm multietnik. (Armend Murseli, TVM2)