Regjistrimi i popullsisë, Mickoski: S’ka politikë me regjistrimin, VLEN-i padit për falsifikim të regjistrimit

02.07.2025 16:16

Regjistrimi i popullsisë është i detyrueshëm...

Regjistrimi i popullsisë është i detyrueshëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin u shfuqizuan dispozita nga metodologjia e cila ndanë shtetasit në “rezident” dhe “jorezident”, vlerëson kryeministri, Hristijan Mickoski.

Megjithatë, Mickoski paralajmëron se regjistrimi nuk duhet të jetë temë politike, ndërsa tha se përqindjet e dala nga regjistrimi nuk do të ndikojnë në të drejtat e komuniteteve në vend.

Nuk guxon që regjistrimi i popullsisë të jetë temë politike. Kanë përfunduar temat politike të lidhura me përqindje, numra, të drejta e kështu me rradhë. Kjo ka përfunduar. Askush këtë nuk duhet ta përmendë dhe ta debatojë. Kjo e drejtë është arritur dhe e përmbyllur. Neve na nevojitet numër i vërtetë që të dijmë se si ta zhvillojmë shtetin, të dijmë se me çfarë disponojmë si shtet.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Kryeministri vlerëson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e bën regjistrimin e vitit 2021 jovalid, ndërsa vendi tani punon në bazë të regjistrimit të vitit 2002. 

“Tani, nëse ajo metodologji nuk bën, ne faktikisht punojmë me të dhëna nga viti 2002, realisht, sepse nëse Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi atë metodologji, ne për momentin punojmë me të dhëna 23 vjet të vjetra.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Në ndërkohë VLEN-i dorëzon kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike – Shkup, kundër ish-udhëheqësisë së Entit Shtetëror për Statistikë, personave të tjerë përgjegjës dhe drejtues në kryesinë e ish-Qeverisë së BDI-së dhe LSDM-së, si dhe personave të tjerë brenda koalicionit të cilët, sipas VLEN-it,  kanë bërë marrëveshje politike në lidhje me regjistrimin e popullsisë.

 “Arsyeja për kallëzimin është dyshimi serioz për marrëveshje politike dhe, si pasojë e kësaj, falsifikim i rezultateve të Regjistrimit të vitit 2021, me ç’rast dyshohet se është kryer vepra penale Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar (neni 353 i Kodit Penal). Pasojat e këtij akti janë të thella: numri i shqiptarëve të paraqitur në shumë fshatra, vendbanime dhe qytete është ulur në mënyrë drastike dhe të vetëdijshme.”, - theksoi Fatmir Sabriu nga VLEN.

Përndryshe,  javën e kaluar Gjykata Kushtetuese veproi në bazë të ankesës së deputetit të Frontit Evropian, Skender Rexhepi, me çka njoftoi se me shumicë votash ka shfuqizuar disa dispozita të Regjistrimit të Popullsisë të kryer në vitin 2021, konkretisht dispozitat që i ndajnë qytetarët në rezident dhe jorezident. (Ersan Pajaziti, TVM2)