Kurti pas takimit me Osmanin: Do të bëjmë çmos për tejkalimin e ngërçit politik
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur në takime të ndara liderët e partive politike në kuadër të përpjekjeve për të kontribuar në tejkalimin e ngërçit politik për konstituimin e Kuvendit.
I pari në takim ishte kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili pas një takimi dy orësh me presidenten, tha se ai dhe partia e tij do të bëjnë çmos për konstituimin e Kuvendit dhe kalimin te zgjedhja e qeverisë së re.
“Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit me konsultime të dendura konstruktive dhe gjithashtu me idenë e konsensusit apo kompromisit. Ta realizojmë këtë gjë në mënyrë që më pastaj të kalojmë te formimi i qeverisë së re, që i përgjigjet Kuvendit të ri të republikës.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Osmani ka thirrur në takime të ndara edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi; kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku; si dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Krasniqi pas takimit me Osmanin: Duhet kompromis nga Kurti dhe LVV-ja
Edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, shprehu angazhimin e tij dhe partisë që drejton për tejkalimin e ngërçit politik, por kërkon gatishmëri për kompromis nga Albin Kurti dhe Vetëvendosja.
“Unë shpresoj që edhe këto konsultime të jenë në funksion të gjetjes së rrugëdaljes, por mbetet që takimet e tjera që i ka planifikuar presidentja të na qartësojnë nëse ka apo nuk ka një ndryshim të qëndrimit politik të VV-së dhe Kurtit, të cilët po vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit.”, - theksoi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Ky është takimi i dytë që presidentja po zhvillon me subjektet politike pas konsultimeve të para që ishin mbajtur në një format të përbashkët me të gjithë liderët partiakë.
Ky takim vjen pas 40 përpjekjesh të dështuara të deputetëve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. (Gyltene Sinani, TVM2)
