Temperaturat e larta në vend, shtohet rreziku për zjarre në disa zona
Temperaturat e larta kanë shtuar rrezikun...

Temperaturat e larta kanë shtuar rrezikun e shfaqjes së zjarreve në vend. Një zjarr i madh mëngjesin e sotëm kaploi lagjen Vizbeg të Shkupit. Bëhet fjalë për deponinë e cila u përfshi nga zjarri edhe më 30 qershor, kur Qendra e Menaxhimit të Krizave njoftoi se zjarri po riaktivizohej vazhdimisht për shkak të mbeturinave.
Nga zjarri janë kapluar edhe shumë territore të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë zjarrin midis fshatrave Gërçishtë dhe Marvincë, në Komunën e Bogdancit, në segmentin nga diga e Paljurcit, ku digjet bimësi e ulët dhe shkurre.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se po ndërmarrin masa për shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e tyre për t’u përhapur më gjerë.
“Momentalisht në territorin e RMV-së janë 5 zjarre aktive, në Prilep, Vallandovë, Bogdanc, në lagjen Vizbeg dhe në Creshevë. Prej pesëve, një është lokalizuar, ndërsa në 4 të tjerë po intervenohet për shuarjen e tyre nga Ndërmarrja Zjarrfikëse dhe Ndërmarrja për Pyje janë në terren dhe shpresojnë se shumë shpejt do të lokalizohen këto vatra. Faktor kryesor janë edhe temperaturat e larta, kujdesi i njerëzve, i faktorit njerëzor ai është një arsye kryesore për zjarret. Kemi marrë masa, ndalesa për lëvizje në pyje, prej më 1 korrikut ka hyrë në fuqi. Apel deri te qytetarët për sjellje të kujdesshme në natyrë për shmangien e djegies së kashtës apo mbeturinave.”,- deklaroi drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali.
Në pritje të valës së të nxehtit të paralajmëruar dhe rrezikut në rritje të zjarreve në pyje, Qeveria po ndërmerr hapa për të përmirësuar kapacitetet e zjarrfikësve duke ripërdorur më shumë se 50 automjete të vjetruara nga depot e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme.
Kryeministri Mickoski thotë se për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit shteti është më i përgatitur me helikopterët e Armatës dhe Policisë si dhe avionët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
“Risi do të jetë modernizimi dhe riparimi i pajisjeve në depot e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme, sikurse hermelinë, pisgauer. Te këto pajisje janë instaluar rezervoarë të posaçëm për ujë, janë blerë pompa të cilat punojnë në tension të lartë dhe mund të përdoren në terrene vështirë të depërtueshme edhe gjatë natës. Pres që rreth 50 deri në 60 automjete të vihen në dispozicion.”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Këto ditë në territorin e komunës së Kumanovës ka pasur disa zjarre. Për shkak të faktit se në rrugën Romanli - Brzak - Agino Selo, po shfaqen shkëndija në telat e tensionit të lartë në vetë rrugën hekurudhore dhe po digjet bari pranë binarëve hekurudhorë, kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, njoftoi se do t'u dërgojë një letër "Hekurudhave të Maqedonisë", MEPSO-s dhe EVN-së dhe do të kërkojë ndërhyrje në kuadër të kompetencave të tyre. (Fitore Demolli, TVM2)
