Dështoi sërish konstituimi i Kuvendit, LDK dhe PDK: Kryesuesi po shkel Kushtetutën

03.07.2025 15:50

Kuvendi i Kosovës dështoi për të 41-ën herë...

Kuvendi i Kosovës dështoi për të 41-ën herë ta përmbyllë seancën konstituive. Përsëri kryesuesi i seancës vazhdoi me propozimin për formimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, por partitë opozitare vlerësojnë se Dehari po e shkel Kushtetutën.

“Propozoj të kthehesh në rendin e ditës dhe mos ta shkelni Kushtetutën.”, - theksoi Alban Zogaj nga LDK.  

Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, paralajmëroi se për këtë qëllim do të dorëzojnë rast të ri në Gjykatën Kushtetuese.

“Pasi kanë ndodhur edhe tri shkelje kushtetuese radhazi, sot PDK-ja do të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese një rast të ri, për të cilin shpresojmë që do të trajtohet me urgjencë, meqenëse i kemi vetëm edhe 23 ditë për konstituimin e Kuvendit.”, - deklaroi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Peci: Opozita të reflektojë para 26 korrikut

Ndërkohë presidentja e Kosovës ka vazhduar takimet e ndara me liderët e partive më të vogla politike në kërkim të zgjidhjes së ngërçit politik për konstituimin e Kuvendit.

Pasi doli nga takimi me presidenten Faton Peci, njëri nga drejtuesit e Listës Guxo, pjesë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje tha se pret reflektimin e partive opozitare për tejkalimin e bllokimit të konstituimit të Kuvendit.

“Duam të besojmë se ditët në vijim para datës 26 korrik partitë tjera opozitare do të kenë mundësi të reflektimit dhe gjetjes së një konsensusi.”, - u shpreh Faton Peci nga Lista Guxo.

Koci: Protesta para Kuvendit me gomarë

Derisa partitë politike nuk po ia dalin ta përmbyllin seancën konstituive, avokati Arianit Koci zgjodhi të protestojë në një formë jo të zakontë.

“Me keqardhje që po duhet të shfrytëzohen kafshët për t’i arritur qëllimet tona, për të treguar se kush po na udhëheq, pra gomarët po na udhëheqin dhe të njëjtit po mendojnë se ne jemi gomarë.”, - theksoi avokati, Arianit Koci.

Vazhdimi i 42-të i seancës konstituive është caktuar për të shtunën në ora 11:00. (Gyltene Sinani, TVM2)