Programi për lëndën e historisë, ASh: Deformohet historia shqiptare
Aleanca për Shqiptarët - krahu i Arben Taravarit...

Aleanca për Shqiptarët - krahu i Arben Taravarit, ka reaguar për programin e ri mësimor për lëndën e historisë në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar përjashtimin nga grupet e punës të historianëve shqiptarë.
Sipas partisë së Taravarit, “nëse historia shkruhet gabim sot – e ardhmja do të ndërtohet mbi gënjeshtra nesër.”, theksoi Isak Sherifi nga ASh.
“Edhe pse mbështesim nevojën për reformë të kurrikulave, nuk mund të heshtim përballë deformimit kaq flagrant të së vërtetës historike, përjashtimit të ekspertëve shqiptarë dhe përpjekjeve për të zbehur identitetin historik të shqiptarëve në këto troje. Në një shtet multietnik, përjashtimi i historianëve shqiptarë nga grupet punuese është skandal institucional dhe ofendim i drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve shqiptarë.”, - deklaroi Isak Sherifi nga ASh-Taravari.
Sipas tij, përmbajtjet që trajtojnë historinë e shqiptarëve janë përgjysmuar apo zhdukur krejtësisht.
“Krahasuar me programet e mëparshme, përmbajtjet që trajtojnë historinë e popullit shqiptar janë përgjysmuar apo zhdukur krejtësisht, duke i dhënë përparësi historisë së popujve të tjerë në rajon. Kjo përbën një zvogëlim të qëllimshëm të kontributit të shqiptarëve në historinë ballkanike dhe evropiane, si dhe një përpjekje për të relativizuar ekzistencën e tyre në këto troje.”, - theksoi Isak Sherifi nga ASh-Taravari.
Aleanca për Shqiptarët kërkon që Ministria e Arsimit të ndalojë miratimin e teksteve që bazohen në këto programe dhe të përfshijë historianët shqiptarë në mënyrë profesionale, në mënyrë që programet të reflektojnë realitetin historik dhe kulturor të të gjithë qytetarëve. (Visar Sadiku, TVM2)
