Andonovski, raport për punën njëvjeçare
Shërbimet erdhën te qytetarët...

Shërbimet erdhën te qytetarët. Për herë të parë ata nuk duhej të endeshin nga njëri sportel tek tjetri. Kështu ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andoovski, e vlerësoi punën gjatë këtij një vjeçari të resorit me të cilin udhëheq ai.
Andonovski tha se objektivat janë arritur, janë vendosur 120 shërbime të reja, ndërsa e përmendi portalin uslugi.gov.mk, në të cilin për herë të parë, dokumentet ligjërisht të vlefshme mund të merren pa prani fizike, me nënshkrim elektronik, kod QR, në formë elektronike ose të shtypura.
“Përmes platformës së ndërveprimit, sot mbi 70 institucione shkëmbejnë të dhëna në kohë reale. Në vend që qytetarët të mbajnë letër nga një sportel në tjetrin – institucionet kanë filluar të komunikojnë elektronikisht. Gjithashtu kemi forcuar mbrojtjen e sistemeve shtetërore. Së pari, miratuam Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike pas tre vitesh vakum. Ajo gjithashtu ka një buxhet, një plan veprimi me përgjegjësi dhe detyrime për të gjithë të përfshirët.”, - deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski.
Ai gjithashtu tha se gjatë verës, përveç tri qendrave të reja të shërbimit, do të hapen të paktën tri të tjera. Ministri gjithashtu theksoi miratimin e 4 ligjeve reformuese, të harmonizuara me rregulloret e BE-së, siç janë Ligji për Komunikimet Elektronike dhe Ligji i parë për Sigurinë Kibernetike, Ligji për Veprimtaritë Arkivore dhe Ligji për Dokumentet Elektronike.
Ai tha se është krijuar edhe një Sektor për Sigurinë Kibernetike brenda kornizës së të cilit duhet të ketë një Qendër Qeveritare për Reagim ndaj Incidenteve lidhur me kujdesin për sigurinë digjitale të fëmijëve dhe të rinjve.
Andonovski tha se Ministria po punon në mënyrë aktive për krijimin e Qendrës Kombëtare për Internet më të Sigurt MKSafeNet, e cila do të jetë sistemi i parë i integruar kombëtar i këtij lloji që e vendos sigurinë e më të rinjve në botën digjitale si përparësi kryesore. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
