Regjistrimi i popullsisë, Rexhepi: Mickoski mohon regjistrimin e vitit 2021
Fronti Evropian kritikon deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski...

Fronti Evropian kritikon deklaratën e kryeministrit Hristijan Mickoski se llogarit përqindjen statistikore të popullsisë në bazë të të dhënave të vitit 2002 pas shfuqizimit të metodologjisë.
Deputeti i Fronit Evropian, Skender Rexhepi, thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka të bëjë fare me të dhënat e përgjithshme, por vetëm me metodologjinë e punës apo ndarjen e popullsisë në rezident dhe jorezident.
“E pyesim kryeministrin, vallë a i ka konsultuar juristët e tij përreth. Nëse i ka konsultuar, atëherë le t’i shkarkojë, le t’i zëvendësojë, sepse fare nuk e kanë informuar ashtu siç duhet. Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në bazë të kërkesës sonë, iniciativës sonë si Front Evropian, ne kemi kërkuar dhe kemi arritur që të largohet ndarja, kategorizimi në rezident dhe jorezident, ndërsa të dhënat e përgjithshme fare nuk janë prekur.”, - deklaroi deputeti i Frontit Evropian, Skender Rexhepi.
Mickoski: Regjistrimi i vitit 2002 është real
Por, kryeministri Hristijan Mickoski vazhdon me pretendimin e tij se vendi nuk ka regjistrim real dhe se në dispozicion kemi të dhëna para njëzet viteve të vitit 2002, të cilin ai e konsideron real.
“Ata të cilët mashtruan qytetarët për njëzet vite, e të cilët janë shkaku kryesor përse komuna e Gostivarit në vitin 2002 ka 85 mijë banorë, ndërkaq në vitin 2022 kur ishte regjistrimi kishte 26 mijë më pak. Ata sollën metodologji me të cilën gënjyen qytetarët. Kështu vazhdojnë të sillen edhe tani, t’i mashtrojnë votuesit shqiptarë për një qëllim: të vijnë sërish në Qeveri.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Tani pritet të shihet se si do të përpilohet edhe metodologjia e ligjit për përfaqësim adekuat, duke pasur parasysh shfuqizimin e metodologjisë së regjistrimit të vitit 2021. Nga VLEN-i sigurojnë se ligji për përfaqësim është betejë e fituar dhe paraqet fundin e diskriminimit institucional. (Meral Ismaili, TVM2)
