Analizë e Këshillit Fiskal, borxhi publik në korrelacion me rritjen ekonomike

03.07.2025 18:05

Borxhi publik mund të ketë efekt pozitiv...

Borxhi publik mund të ketë efekt pozitiv në zhvillimin e vendit vetëm nëse ai përdoret për investime në projektet zhvillimore, infrastrukturë dhe në politikat që synojnë rimëkëmbje ekonomike.

Këto janë rezultatet e hulumtimit “Ndikimi i politikave fiskale në zhvillimin ekonomik” të dala nga hulumtimi i Këshillit Fiskal.

Sipas profesorit universitar dhe njëherit edhe zëvendëskryetarit të Këshillit Fiskal, Abdylmenaf Bexheti, borxhi publik  duhet shpenzuar në kapital njerëzor, shëndetësi dhe infrastrukturë, në mënyrë që ky instrument të shfrytëzohet racionalisht për avancimin e shtetit.

“Në analizën tonë shkencore rezulton se ka korrelacion midis rritjes së borxhit publik dhe rritjes ekonomike në relacion pozitiv, por vetëm me kusht, të mos jetë në shkallë të lartë. Nëse ne do të ecim mbi shkallën 62 – 64%, do të fillojë të jetë ndikimi negativ. Kushti i dytë është alokimi i drejtë dhe efikas i parave të borxhit. Kapitali njerëzor është mbi të gjitha dhe atë e nënkuptojmë në arsim dhe jo vetëm në një nivel, por nga arsimi fillor, në shëndetësi, infrastrukturën ekonomike.”, - deklaroi zëvendëskryetari i Këshillit Fiskal, Abdylmenaf Bexheti.

Këshilli Fiskal ka analizuar skenarë të mundshëm të huamarrjes shtesë për investime publike, e cila nuk do të dëmtojë stabilitetin fiskal dhe qëndrueshmërinë e borxhit publik. Kryetari i Këshillit Fiskal, Gligor Bishev, paraqet dy skenarë.

“Borxhi në raport me atë që llogaritet për normale nuk do të rritej shumë. Në skenarin e parë do të arrinte diku 65% dhe në skenarin e dytë, 63%, ku me rëndësi është që borxhi i tërësishëm dhe deficiti buxhetor do të ishte për investimet kapitale.”, - theksoi kryetari i Këshillit Fiskal, Gligor Bishev.

Faktorët kyç për sigurimin e stabiliteitt fiskal janë: kontrolli, llogaridhënia, transparenca, përforcimi i institucioneve dhe rritja e menaxhimit të mirë me paratë publike, thonë anëtarët e Këshillit Fiskal.

Analiza e hulumtimit  ka pasur për studim Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)