Fshirja e gjuhës maqedonase nga raporti i BE-së, Mickoski: Po fshihet në mënyrë “talebaneske”

03.07.2025 18:38

Në mënyrë “talebaneske” po fshihet identiteti...

Në mënyrë “talebaneske” po fshihet identiteti dhe gjuha maqedonase nga raporti i Parlamentit Evropian. Kështu ka deklaruar kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar lajmin që e publikuan mediat bullgare se Parlamenti Evropian është gati t’i heqë këto terma nga raporti për Maqedoninë e Veriut.

Mickoski e cilësoi këtë veprim si të papranueshëm dhe e bëri përgjegjës qeverinë e kaluar për këtë zhvillim në Bruksel.

“Për fat të keq, ato ekzibicione që ndodhën për shtatë vite te ne, këtu në shtëpi, na sollën në një situatë të tillë. Ja, shihni, doja të përdorja një fjalë, nuk doja, por do ta përdor, do të shkoj një hap më tej në një mënyrë “talebane” po fshihet identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase nga raporti në Evropë. Këtë e përjetuam si popull në shekullin XXI. Ja çfarë kemi pritur, këtë na e bënë Bujar Osmani, Dimitar Kovaçevski, Bojan Mariçiqi dhe të tjerët. Për ne është po aq keq edhe fshirja nga raporti e identitetit maqedonas dhe gjuhës maqedonase, po aq sa edhe sikur të qëndronte aty termi “modern”, praktikisht është njësoj e keqe.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

Lidhur më këtë kanë reaguar edhe nga opozitarja LSDM. Ata akuzojnë Mickoskin për fshirjen e gjuhës maqedonase nga Parlamenti Evropian. Kërkojnë të mbajë përgjegjësi.

“Për shkak të interesave të ngushta politike, ai përsëri e hapi debatin për gjuhën maqedonase në Parlamentin Evropian, çështje që ishte mbyllur, dhe gjuha ishte përcaktuar si gjuha e vetme maqedonase e popullit maqedonas. Mickoski nuk mund të tregojë me gisht për askënd për humbjen që Maqedonia po pëson përsëri në Bruksel. Pikërisht ai dhe shoku i tij Andrej Kovaçev, me të cilin bashkëpunojnë për të bllokuar perspektivën evropiane të qytetarëve maqedonas, janë fajtorët për këtë situatë.”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Edhe kryetari i së Majtës, Dimitar Apasiev, ka reaguar ndaj partisë në pushtet. Thotë se heqja e termave “identitet maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase” nga raporti i Parlamentit Evropian është për shkak të partive simotra të VMRO-DPMNE-së në PE. Ai i kritikoi ashpër të djathtët në PE, duke i quajtur “bandë e paaftë”, që shkatërruan perspektivën për interesat e tyre.

Sipas publikimit të agjencisë bullgare BGNES, tre forcat më të mëdha politike në Parlamentin Evropian janë dakorduar të heqin termat “identitet maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase” nga draft-raporti për progresin e vendit, që duhet të votohet në seancën plenare të PE-së më 8 korrik.

Këtë informacion e ka konfirmuar në rrjetet sociale edhe eurodeputeti bullgar, Andrej Kovaçev. Raporti për progresin e vendit pritet të votohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian deri më 10 korrik. (Armend Murseli, TVM2)