Ribalanci i buxhetit, Kocevski kërkon më shumë mjete për Prokurorinë

03.07.2025 18:12

Ka vazhduar debati në Komisionin Parlamentar për Financim dhe Buxhetit...

Ka vazhduar debati në Komisionin Parlamentar për Financim dhe Buxhetit, ku është duke u diskutuar për ribalancin e buxhetit për vitin 2025. Hartimi i ri i buxhetit shtetëror ka zgjuar interesimin edhe të Prokurorisë Publike.

Prokurori republikan, Ljupço Kocevski, vlerëson se në këtë buxhet nuk janë parashikuar rritje të mjeteve për Prokurorinë.                                                                                              

“14.5 milionë euro të miratuara nuk do të jenë të mjaftueshme të kryhen as funksionet elementare të Prokurorisë, ndërsa për agjendën reformuese as që mund të flasim. Edhe në aspektin kadrovik për 3 vite nuk kemi marrë asnjë pëlqim për punësime të reja. Nga ana tjetër, të gjitha vendet rreth nesh kanë rritur të ardhurat për punën e Prokurorisë, p.sh.: Shqipëria ka një buxhet prej 8.4 miliardë euro, ku 34 milionë janë vetëm për Prokurorinë Publike, Mali i Zi ka një buxhet prej 3.2 miliardë euro, plot 14.5 milionë kanë ndarë për Prokurorinë Publike, Serbia ka një buxhet prej 27 miliardë euro, ku 95.2 milionë për Prokurorinë, Kosova ka buxhet 3.6 miliardë, 18.9 milion vetëm për Prokurorinë. Ndërsa Maqedonia nga 6.6 miliardë sa kemi buxhet, kemi ndarë 14.5 milionë ose 0.22 për qind, apo gjysma e mjeteve që na nevojitet.”, - deklaroi kryeprokurori, Ljupço Kocevski.

Por, për deputetin e VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, kërkesa e Prokurorisë për më shumë mjete është e turpshme.

“Për mua është e turpshme që të vijë Prokurori të kërkojë më shumë mjete, ndërsa nga ana tjetër ka indikacione nga institucionet për rreth 2.000 veprime, ku dyshohet se është kryer vepër penale keqpërdorim të detyrës zyrtare ose vjedhje të parave të shtetit dhe të mos veprojë për asnjë lëndë.”, - theksoi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.

LSDM/VMRO përplasje rreth borxhit publik

Deputeti i opozitës maqedonase, Oliver Spasovski, theksoi se Borxhi Publik ka kapur shifrat alarmante dhe me këtë metodë të huamarrjeve po vendosim në pikëpyetje stabilitetin financiar të vendit.

“Ne kemi një huamarrje serioze, që po vendos në rrezik të lartë stabilitetin financiar. Edhe më alarmante janë informacionet për një huamarrje tjetër në vlerë prej 500 milionë euro, që duhet të realizohet deri në fund të vitit apo edhe 4 për qind borxh nga Bruto Prodhimi Vendor. Kjo nënkupton se borxhi publik do ta tejkalojë barrierën psikologjike dhe kufirin ligjor prej 60 për qind nga Bruto Prodhimi Vendor.”, - u shpreh deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.

Ka edhe reagim nga deputetët e VMRO-DPMNE-së.

“Në aspektin e huamarrjeve, z. Spasovski në janar të këtij viti, ne morëm 500 milionë euro nga pakoja financiare hungareze, për t’i kthyer 500 milionë euro borxhe. Ne këtë gjendje do ta kemi edhe në katër vitet e ardhshme, ku kemi cikël të kthimit të huamarrjes nga 500, pastaj 700 milionë, pastaj prapë 500, prapë 700 milionë euro, e të gjitha këto huamarrje i ka kryer Qeveria e juaj.”, - deklaroi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.

Sipas Ministrisë së Financave, të ardhurat totale në këtë ribalanc janë parashikuar në 362.4 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet janë parashikuar në 403.7 miliardë denarë, që është një për qind apo rreth 3.5 miliardë denarë më shumë se parashikimet fillestare.

Bruto Prodhimi Vendor mbetet në 3.7 për qind, inflacioni parashikohet në 2.8 për qind. Deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar në 41.3 miliardë denarë ose 4 për qind. (Fitim Kryeziu, TVM2)