RMV-ja i bashkohet “World Skills Europe”

03.07.2025 18:14

Maqedonia e Veriut po bëhet pjesë e një rrjeti prej 30 vendesh...

Maqedonia e Veriut po bëhet pjesë e një rrjeti prej 30 vendesh, ku do të shkëmbehen përvoja për përmirësimin e cilësisë së arsimit profesional, tha ministrja, Vesna Janevska, në një konferencë për zhvillimin e arsimit profesional.

Përmes këtij rrjeti, vendi po i bashkohet “World Skills Europe”, platformë kjo që mundëson bashkëpunim dhe shkëmbim të praktikave të mira mes vendeve dhe institucioneve në fushën e arsimit dhe trajnimit profesional, si dhe organizimin e garave ndërkombëtare për nxënës.

“Po hedhim një hap shumë të madh, vendi ynë po bëhet pjesë e një rrjeti ku marrin pjesë 30 vende dhe në këtë rrjet do të përfshihemi edhe ne. Përmes kësaj pjesëmarrjeje, do të njihemi me standardet dhe dokumentet që zbatohen në këto 30 vende, dhe më pas do të kemi mundësi të shkëmbejmë përvojat tona dhe të përmirësojmë cilësinë në këtë nivel të arsimit.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Ambasadorja e Zvicrës, Veronika Ullman, tha se Zvicra prej vitesh mbështet reformat në arsimin e mesëm profesional dual.

“Këtë e bëjmë për tre arsye. Së pari, sepse në Zvicër kemi përvojë të shkëlqyer ku sektori privat është shumë i angazhuar në arsimin profesional, duke pasur mundësi të sigurojë fuqi punëtore të re dhe të talentuar. Së dyti, sepse Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe sektori privat janë të përkushtuar dhe të interesuar të marrin pjesë në arsimin dhe trajnimin profesional. Dhe së treti, kjo është shumë e rëndësishme për të rinjtë, sepse me aftësitë që kërkohen në tregun e punës, ata do të kenë mundësi për punësim të mirë.”, - theksoi ambasadorja e Zvicrës, Veronika Ullman.

Konferenca u organizua nga Ambasada e Zvicrës në Shkup dhe projekti “E4E – Arsimi për Punësim”. (Fitore Demolli, TVM2)