Fetai dhe Iseni: RMV-ja ka zgjidhur të gjitha rastet pa shtetësi

03.07.2025 19:48

Maqedonia e Veriut është bërë vendi i parë...

Maqedonia e Veriut është bërë vendi i parë në rajon që ka zgjidhur të gjitha rastet e njohura të pashtetësisë, që kanë rezultuar nga shpërbërja e Jugosllavisë.

Kështu u tha në aktivitetin e organizuar nga zëvendëskryeministri, Arben Fetai, në bashkëpunim me UNHCR-në dhe Misionin e OSBE-së në Shkup, me rastin e zgjidhjes me sukses të rasteve të njohura të pashtetësisë që rezultuan nga shpërbërja e RSF-së së Jugosllavisë.

Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, me këtë rast deklaroi se: “Pas tre dekadash padrejtësie, Maqedonia e Veriut ka kthyer faqen e historisë, duke i dhënë fund pashtetësisë për qindra njerëz të lindur dhe rritur në këtë vend.

Sot, me krenari themi: të gjithë ata që jetuan si të padukshëm, më në fund kanë një emër, identitet dhe të drejta. Fitorja mbi pashtetësinë është dëshmi se drejtësia nuk është një iluzion – ajo është e mundur kur ekziston vullnet politik, bashkëpunim ndërkombëtar dhe aktivizëm i palodhshëm. Ky moment e shndërron vendin nga një mur ndarës në një strehë për çdo qytetar.”. Ndërsa zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astri Iseni, ka deklaruar se: “Shtetësia është një nga të drejtat themelore të njeriut dhe është baza ligjore për një numër të madh të drejtash dhe lirive të tjera civile; ajo tregon lidhjen ligjore midis një personi dhe shtetit, pavarësisht mënyrës së fitimit dhe nuk tregon prejardhjen etnike të qytetarit.”.