Trampi ndal mbështetjen ushtarake për Ukrainën, shqetësime në Ukrainë
Ministria amerikane e Mbrojtjes...

Ministria amerikane e Mbrojtjes ka justifikuar vendimin e presidentit Tramp për ndalimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën. “Qëllimi është të sigurohemi që ndihma ushtarake amerikane është në përputhje me prioritetet tona mbrojtëse.”, thonë nga Pentagoni.
Sipas raportit, janë ndalur dërgesat e dhjetëra raketave për sistemin “Patriot”, mijëra granata, më shumë se 100 raketa “Hellfaer”, sisteme raketore të lëvizshme, avionë dhe granata hedhës.
“Nuk do të japim përditësime për sasinë specifike apo llojin e municionit që i dërgohet Ukrainës apo për afatet kohore të këtyre transferimeve. Por, sekretari do të vazhdojë të japë rekomandime për presidentin lidhur me vendimin për ndihmën ushtarake për Ukrainën në të ardhmen. E shohim këtë si një hap të arsyeshëm dhe pragmatik për krijimin e një kuadri vlerësimi mbi municionin që dërgohet dhe destinacionin e tij.”, - deklaroi zëdhënësi i Pentagonit, Shon Parnel.
“Ekzistojnë disa opsione dhe përpjekje të tjera të fuqishme, sa i përket situatës me armët në Ukrainë. Presidenti gjithashtu theksoi përkushtimin e tij lidhur me raketat Patriot. Kjo nuk është ndërprerje e ndihmës amerikane për Ukrainën apo e furnizimeve me armë.”, - theksoi zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tami Brus.
Moska mirëpret vendimin
Ndërkohë, Trampi ka hequr sanksionet ndaj disa kompanive dhe bankave ruse.
“Sa më pak armë për Ukrainën, më afër fundit të luftës.”, thonë nga Kremlini.
Por, lëvizja befasuese e Uashingtonit ka shqetësuar Kievin.
“Për momentin, ndërmjet Ukrainës dhe ShBA-së, po sqarohen të gjitha detajet për ndihmën në mbrojtje, veçanërisht për komponentin e mbrojtjes ajrore. Në një mënyrë apo tjetër, patjetër duhet të sigurojmë mbrojtje për popullin tonë.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ndërkohë Rusia ka shtuar sulmet në territorin e Ukrainës. Gjatë natës me dronë është sulmuar Poltava dhe Odesa.
“U godit një ndërtesë banimi. Shpërtheu një zjarr i madh. Banesat nga kati i shtatë deri në të nëntin u përfshinë nga flakët. Njerëzit mbetën të bllokuar në apartamente dhe njëmbëdhjetë persona u shpëtuan nga katet e sipërme, përfshirë dy fëmijë.”, - deklaroi Marina Averina nga Shërbimi Emergjent në Odesa.
Në fillim të javës Rusia shpalli kontroll të plotë mbi rajonin lindor të Luhanskut, ndërsa pavarësisht sulmeve të shtuara është regjistruar përparim i ngadalshëm në vijën e frontit. (Abibe Qaili, TVM2)
