Kandidaturat për zgjedhjet lokale, Mexhiti: Mund të kandidoj në Çair
VLEN-i është në fazën përfundimtare të analizave...

VLEN-i është në fazën përfundimtare të analizave dhe matjet e opinionit publik për kandidatë të caktuar në komuna për zgjedhjet lokale.
Brenda korrikut priten emrat përfundimtarë. Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, nuk e përjashton mundësinë të kandidojë në Çair.
“Po analizojmë terrenin dhe dëshirojmë që të gjejmë zgjidhje më të mirë dhe në bazë të kësaj do të veprojmë. BDI dëshiron për Çairin ta kandidojë Bujar Osmanin dhe është e qartë se kandidat tjetër nuk është në lojë, ndërsa për ne është e rëndësishme ta fitojmë Çairin. Po bëhen analiza, nuk e përjashtoj mundësinë të kandidoj për kryetar të Çairit.”, ka deklaruar Mexhiti në emisionin “24 analiza”.
Gara zgjedhore në Kërçovë, Kasami: Mund të mbështesim kandidat të pavarur
Në bllokun shqiptar gara do të zhvillohet në 17 komuna. Bilall Kasami nuk ka përjashtuar mundësinë, që edhe në Kërçovë sikurse në Strugë, të mbështesin kandidat të pavarur.
“Koalicioni VLEN për momentin përkrahë kandidatin e pavarur për Strugën dhe në ditët në vijim sigurisht që kjo formë e përkrahjes deklarative do të ketë edhe hapa konkrete. Nëse në një komunë të caktuar, në këtë rast edhe Kërçovën, preferenca do të jetë për një kandidat të pavarur, ne pa asnjë dilemë do të përkrahim kandidat të pavarur.”, - theksoi Bilall Kasami nga VLEN.
Koalicioni VLEN ka gatishmëri për përkrahje të ndërsjellë në të gjitha komunat, ku do të garojnë kandidatë të koalicionit qeverisës.
Perinski: Të dielën publikojmë emrat
Nga VMRO - DPMNE të dielën në komitetin ekzekutiv të partisë do të shpallin emrat e kandidatëve, në mesin e tyre edhe të kandidatit për kryetar të qytetit të Shkupit.
Si kandidat i mundur përflitet emri i Orce Georgievskit.
“Jo vetëm për Orce Georgievskin, por cilido kandidat i cili do të mbështetet nga partia ime, paraqet nder dhe do ta ketë mbështetjen time të plotë, jo vetëm në zbatimin e programit, por edhe mbështetje në drejtim të fushatës që na pret në prag të zgjedhjeve.”, - u shpreh ministri për Qeverisje Lokale, Zllatko Perinski.
Fronti Evropian ende nuk ka konfirmuar emrat konkretë edhe pse jozyrtarisht mësohet se në lojë janë figura veç më të njohura në skenën politike. Socialdemokratët kanë thënë emrat e një pjese të kandidatëve.
Brenda dy javëve do të vërtetohen dy të tretat e kandidaturave për zgjedhjet lokale të tetorit. (Meral Ismaili, TVM2)
