Temperaturat e larta, mjekët apelojnë për kujdes të shtuar
Përballë temperaturave të larta...

Përballë temperaturave të larta dhe valëve të të nxehtit që kanë përfshirë vendin, autoritetet shëndetësore apelojnë për kujdes të shtuar, sidomos për grupet më të ndjeshme të popullatës.
Sipas mjekes, Biljana Jovanovska Dimitrovska, është me rëndësi që të merren masa mbrojtëse, veçanërisht për personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët. Ajo thekson se duhet të shmangen daljet në ambient të hapur gjatë orëve më të nxehta të ditës, përkatësisht nga ora 11:00 deri në 17:00.
“Për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta dhe vala e të nxehtit, është e rëndësishme të merren disa masa mbrojtëse, sidomos kur bëhet fjalë për persona me sëmundje kronike, ata këshillohen të mos dalin jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00, të veshin rroba të lehta, të përdorin krem mbrojtës nga dielli dhe nëse bëhet fjalë për foshnja të vogla, të mos mbulohen shumë. Gjithashtu, është e rëndësishme të konsumojnë shumë lëngje, edhe nëse nuk ndjejnë etje, sepse organizmi duhet të jetë i hidratuar në mënyrë të vazhdueshme.”, - deklaroi mjekja, Biljana Jovanovska Dimitrovska.
Qytetarët: Nuk dalim në pikun e të nxehtit
Por, si po e përballojnë të nxehtin qytetarët?
“Për mua nuk është aq, por për më të moshuarit shumë rëndë është. Unë prej vështirësisë kam ardhur këtu, sepse s’kisha dal. Nuk dal, rrallë dal jashtë. Këto temperatura janë të rënda për pleqtë edhe për të sëmurët. Po lajmërohen që mos të dilet.”, - tha një qytetar.
“Po mirë, çfarë të bëjmë. Duhet t’i përballojmë. Unë nuk dal, dal rrallë.”, - tha një qytetar tjetër.
“40-42 temperatura, ku të shkojmë?! Të holla nuk ka për pushim të shkojmë. Duhet të kemi të holla, me 6.000 denarë nuk shkohet në pushim.”, - u shpreh një qytetar.
Ndërkohë Qeveria ka aktivizuar fazën 3 për të parandaluar pasojat e valëve të të nxehtit në shëndetin e popullsisë, e cila do të zgjasë deri më 8 korrik.
Gjatë kësaj periudhe, rekomandohet të përjashtohen gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç nga detyrimet e punës.
Po ashtu orari i punës duhet të shtyhet nga ora 11:00 deri në 17:00 për punonjësit e ekspozuar ndaj nxehtësisë direkte. (Abibe Qaili, TVM2)
