Tetovë, promovohen trotinete elektrike

04.07.2025 16:08

Komuna e Tetovës bashkë me kompaninë vendore “AR Holding”...

Komuna e Tetovës bashkë me kompaninë vendore “AR Holding” ka promovuar në sheshin e Tetovës 100 trotinete elektrike.

Qytetarët mund t’i shfrytëzojnë duke shkarkuar aplikacionin në telefon dhe çmimi për një minutë shfrytëzim, qytetarëve do t’u kushtojë 6 denarë.

Rimbushja e krediteve mund të bëhet përmes postës së qytetit dhe kartelave bankare. I pyetur kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, se si do të lëvizin këta trotinete, kur dihet se komunikacioni është i ngarkuar dhe nuk ka kushte për funksionim, ai ka theksuar se qytetarët duhet t’u përshtaten rregullores dhe ligjeve ekzistuese dhe nëse nuk i respektojnë rregullat dhe ligjet, do t’u pamundësohet shfrytëzimi i trotineteve.

“Bëhet fjalë për një bashkëpunim mes komunës së Tetovës dhe partneritetit privat. I gjithë projekti është bërë në bazë të legjislaturës të përcaktuar nga komuna e Tetovës. Në bazë të ligjeve tona do të funksionojnë këto trotinete elektrike edhe përkundër asaj se në rrugët tona ka qytetarë, që me trotinete private lëvizin. Tek ky aplikacion ka kontroll të lëvizjes, të shpejtësisë. Çdo qytetar që do të marrë në shfrytëzim, këta trotinete fillimisht do të duhet t’i pranojnë kushtet dhe ligjet që funksionojnë. Nëse qytetarët do t’i thyejnë këto rregulla, do t’u pamundësohet shfrytëzimi i trotineteve.”, - deklaroi kreu i Tetovës, Bilall Kasami.

Këto trotinete elektrike janë projektuar dhe dizajnuar dhe prodhuar në vendin tonë.

“Është dizajnuar, projektuar dhe prodhuar këtu në Maqedoninë e Veriut nga kompania “AR Holding”. Kompania e parë në Evropë, e cila ka arritur të prodhojë të gjitha pjesët e sistemit duke përfshirë këto mekanike, elektrike e softuerike. Dhe bëhet fjalë për një sistem inovativ.”,  - theksoi Arlind Pajaziti nga kompania “AR – Holding”.

Nga komuna e Tetovës thonë se shfrytëzimi i trotineteve elektrike nga qytetarët do të mundësojë edhe uljen e ndotjes në qytet. (Visar Sadiku, TVM2)