ShBA-ja shënon shpalljen e pavarësisë, mesazhe urimi nga Maqedonia e Veriut dhe bota
Shtetet e Bashkuara të Amerikës...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënojnë sot shpalljen e pavarësisë. 249 vite më parë, më 4 korrik 1776, u ratifikua deklarata e Pavarësisë, një dokument ku 13 kolonitë e Mbretërisë së Bashkuar shpallën pavarësinë. Me këtë rast, Ambasada e ShBA-së në një deklaratë të shkurtër uroi me fjalët: “Ndërsa shënojmë këtë ditë, festojmë gjithashtu 30 vjet miqësi me Maqedoninë e Veriut — të ndërtuar mbi besimin, bashkëpunimin dhe progresin e përbashkët. Gëzuar lirinë! Gëzuar partneritetin! Gëzuar të ardhmen!”, shkroi ambasada e ShBA-së në vend në Facebook.
4 korriku është një ditë që mishëron idealet universale të lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, thekson kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
“Aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është vetëm partneritet strategjik, por edhe një miqësi e sinqertë, e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta. ShBA-ja është shtyllë e qëndrueshme e politikës sonë të jashtme dhe një garanci për të ardhmen tonë euroatlantike. Prandaj, në këtë ditë simbolike, e ripërsëris përkushtimin tim për të qenë një urë e fortë bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona dhe për të avancuar më tej këtë lidhje.”, thuhet në urimin e kryeparlamentarit, Gashi.
Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka uruar edhe kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, duke thënë se ShBA-ja mbetet aleati më i rëndësishëm i vendit.
“Partneriteti ynë strategjik me Shtetet e Bashkuara bazohet në parime të përbashkëta dhe respekt të ndërsjellë. Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për proceset reformuese të Maqedonisë, stabilitetin e sigurisë dhe integrimin euroatlantik.”, thuhet në urimin e kryeministrit, Hristijan Mickoski.
Urimet më të përzemërta për popullin amerikan i ka përcjellë koalicioni VLEN.
“Në këtë ditë të veçantë për kombin amerikan shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë të thellë për miqësinë dhe partneritetin me ShBA-në, që përbëjnë një ndër themelet kryesore të orientimit tonë politik dhe strategjik. Jemi krenarë për aleancën tonë të fortë dhe për vlerat e përbashkëta që na lidhin: demokraci, liri, barazi dhe sundim të ligjit.”, thuhet në urimin e VLEN-it.
Edhe BDI-ja i shpreh urimet më të përzemërta popullit dhe institucioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Populli shqiptar dhe vetë Maqedonia e Veriut, prej ditës së parë të pavarësimit dhe gjatë gjithë rrugëtimit euroatlantik, kanë ecur krah për krah me ShBA-në, si aleati ynë më i fuqishëm dhe partneri ynë më besnik. Çdo përparim që kemi shënuar, nga paqja, integrimi në NATO, e deri te proceset e reformave dhe bashkëjetesës ndëretnike është fryt i partneritetit të ngushtë dhe vizionit të përbashkët që ndajmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”, theksojnë nga BDI.
Edhe kryetari i ASh-së, Arben Taravari, uron 4 korrikun.
“Sot në këtë 4 korrik sfidues për të gjithë globin, duke uruar pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbushem me shpresë për një të ardhme më të mirë e më të drejtë për të gjitha racat, fetë dhe kombet.”.
Nuk munguan as urimet e autoriteteve ndërkombëtare mes të cilëve edhe presidenti i Rusisë, Putin, uroi për herë të parë në 5 vite një president amerikan për pavarësinë e ShBA-së. (Belinda Koka - Ademi, TVM2)
