Njoftimet për raport pa identitetin maqedonas, LSDM: Fajtor i vetëm është Mickoski

04.07.2025 16:43

Njoftimet e mediave bullgare...

Njoftimet e mediave bullgare, se tashmë në Parlamentin Evropian është arritur konsensus për t’u fshirë gjuha dhe identiteti maqedonas nga raporti për Maqedoninë e Veriut, përcillen me reagime vendore.

Nga LSDM-ja thonë se fajtori i vetëm për këtë që po i ndodh identitetit maqedonas në BE është vetëm kryeministri, Mickoski.

“Gjuhës maqedonase i kërcënohet fshirje në raportin e Parlamentit Evropian. Nëse ndodhë kjo, do të ketë vetëm një fajtor – Hristijan Mickoski dhe asnjë tjetër. Mickoski me vetëdije e hapi debatin e mbyllur për gjuhën maqedonase në Bashkimin Evropian me çka drejtpërdrejt e rrezikoi atë, e cila njëherë u arrit njohja e gjuhës maqedonase si gjuhë autentike dhe e veçantë e popullit maqedonas në Bashkimin Evropian.”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.

Këshilli i ambasadorëve: Mos të mohohet identiteti maqedonas

Këshilli i ambasadorëve kërkon që identiteti maqedonas mos të mohohet e as të politizohet gjatë procesit të integrimit në BE.

“Në këtë frymë theksojmë se identiteti kombëtar maqedonas është një realitet historik, shoqëror dhe politik  -  njësoj si identitetet e bashkësive të tjera etnike në vendin tonë dhe shteti vazhdimisht demonstron se di ta mbrojë, kultivojë dhe promovojë pasurinë identitare të popullit të vet. Prandaj, identiteti maqedonas nuk duhet të jetë çështje e mohimit, kushtëzimit ose politizimit në suaza të procesit të aderimit.”.

Eurodeputeti bullgar, Andrej Kovaçev, përmes rrjeteve sociale bëri të ditur se tri partitë më të mëdha në PE janë dakorduar që të heqin termet “identitet maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase” nga draft-raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut që do të votohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian më 8 korrik.

Sipas tij, temat e identitetit dhe gjuhës nuk kanë vend në raportin e progresit të një vendi kandidat për anëtarësim në BE.

Për kryeministrin Mickoski, fshirja e gjuhës dhe identitetit maqedonas nga Raporti është po aq e dëmshme se përshkrimi i tyre me parashtresën e fjalës “modern”. (Meral Ismaili, TVM2)