Osmani: Liderët kanë qëndrime diametralisht të kundërta
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se nga konsultimet me liderët e partive politike, ka kuptuar se ata ende kanë qëndrime diametralisht të kundërta lidhur me tejkalimin e ngërçit politik për konstituimin e Kuvendit.
“Partitë kryesore i kanë qëndrimet ende diametralisht të kundërta, por kjo nuk do të thotë se brenda këtij afati nuk mund të ketë afrim. Ka disa gjëra për të cilat mund të ketë pajtim dhe unë do të shpresoja që mund të ketë, sepse bllokada tek lloji i votimit është vërtetë shumë joracionale.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani: Votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi
Ajo njëherësh sqaroi se sipas interpretimit të ekipit të saj ligjor dhe analizave të ekspertëve, votimi i fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk përjashtohet si mundësi nga aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, por për ta zbatuar këtë formë votimi duhet një vendim i seancës plenare.
“Votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi, megjithatë kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë votë, duhet të ketë vendim të seancës para se të shkohet te një mënyrë e tillë. Ky është interpretimi i ekipit tonë ligjor, por nuk do të thotë se të tjerët pajtohen me të.”, - theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja Osmani po ashtu theksoi se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka bërë të qartë që partia e parë ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, por edhe detyrimin për të siguruar shumicën parlamentare për zgjedhjen e tij.
Ajo njëherësh paralajmëroi pasoja juridike nëse afati kushtetues prej 30 ditësh nuk respektohet, duke theksuar se kjo do të përbënte një nga shkeljet më të rënda që nga miratimi i Kushtetutës së Kosovës.
Ndërkohë Partia Demokratike e Kosovës, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës përsëri i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, me pyetje për votimin e fshehtë, përkatësisht çështjen e komisionit për votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit, si dhe mundësinë e shkeljeve kushtetuese nga ana e kryesuesit të seancës, Avni Dehari. (Gyltene Sinani, TVM2)
