Moska e gatshme për bisedime me Ukrainën, Trampi nuk është i kënaqur me Putinin

04.07.2025 19:02

Moska po pret caktimin e një date...

Moska po pret caktimin e një date për raundin e tretë të negociatave me Ukrainën. Këtë presidenti rus Vladimir Putin i ka thënë homologut amerikan, Donald Tramp, ndërkohë që nuk ka ende përgjigje nga Kievi.

Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, pas një telefonate mes dy liderëve të enjten në mbrëmje.

Rusia pretendon se pas raundit të dytë të bisedimeve, më 2 qershor, ku u shkëmbyen projekt-memorandume dhe trupat e ushtarëve të rënë, pritej një takim tjetër pas datës 22 qershor, por pala ukrainase nuk ka dhënë sinjale.

Ndërkohë, Trampi deklaroi se ishte i zhgënjyer nga biseda me Putinin, duke thënë se ky i fundit nuk po tregon vullnet për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti amerikan theksoi se nuk pati asnjë përparim në bisedë, ndërsa shtoi se do të flasë me presidentin ukrainas, Volodimir Zelenski.

Nga ana tjetër, vendimi i ShBA-së për të ndërprerë disa furnizime ushtarake ka krijuar paqartësi, si në Kiev, ashtu edhe në Uashington.

Trampi theksoi se ndihma nuk është ndalur plotësisht, por kritikoi paraardhësin e tij, Xho Bajden, se kishte dërguar “më shumë armë sesa duhej”, duke rrezikuar sigurinë e ShBA-së.