Themelohet Lëvizja “Arbëria”, Fazliu: Një lëvizje kundër pazareve politike
Në vend zyrtarisht u themelua Lëvizja “Arbëria”...

Në vend zyrtarisht u themelua Lëvizja “Arbëria”, një nismë qytetare që synon të shndërrohet në një platformë të re vetëdijeje dhe veprimi për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Njëri ndër drejtuesit e kësaj lëvizje, Bekim Fazliu, tha se Lëvizja “Arbëria” lindi si nevojë e kohës, si reagim ndaj së keqes dhe si e mirë që mungon.
Ai tha se kjo lëvizje është më shumë se parti politike, ndërsa numëroi edhe prioritetet kryesore të kësaj Lëvizje.
“Barazia e plotë e shqiptarëve, realizimi i drejtë i marrëveshjes së Ohrit, duke e nxjerrë nga arkivat dhe të gjitha devijimet që i janë bërë asaj, mund të realizohen drejt ashtu siç i ka nlënshkruar Arbër Xhaferi, Imer Imeri dhe të tjerët, me çka u mbyll konflikti i vitit 2001, jo një marrëveshje që e bënë të tjerët për pazare dhe përfitime personale” – tha Bekim Fazliu nga Lëvizja “Arbëria”.
Ai tha se “Arbëria” ka shtrirje në gjithë territorin e vendit, ndërsa theksoi se për vendime politike nëse do të marrin pjesë në zgjedhje apo do të bashkëpunojnë me subjekte apo iniciativa të ndryshme politike dhe qytetare do tëvendosin në ditët në vijim.
“Strukturat tona do të jeni dëshmitarë edhe në ditët në vijim se do ti ngrejmë nëpërmjet shtabeve vendore apo degëve, nëndegëve e kështu me rradhë dhe sigurisht se në ecje e sipër do të marrim vendime, qofshin ato politike, a do të marrin pjesë në zgjedhje, apo do të bashkëpunojmë me dikë tjetër, me ndonjë nismë tjetër, iniciativë qyteare, iniciativë politike, nëse i përkrahin parimet tona” – u shpreh Bekim Fazliu nga Lëvizja “Arbëria”.
Fazliu bëri me dije se Lëvizja “Arbëria” nuk do të ketë kryetar, por do të udhëhiqet nga Këshilli Drejtues, i përbërë prej nëntë anëtarëve, për faktin se sipas tij, shqiptarët janë viktima të egove personale për kryetarë partish. (Ersan Pajaziti, TVM2)