LSDM: Politika e jashtme, dështim! Mucunski në vend të progresit, solli bllokim

05.07.2025 17:14

Në vend të pozicioneve më të mira siç ishte premtuar...

Në vend të pozicioneve më të mira siç ishte premtuar, pas një viti qeverisjeje të VMRO-DPMNE-së, Maqedonia e Veriut është bllokuar, me një pozicion shumë më të keq, të përkeqësuar në planin ndërkombëtar, vlerësojnë nga LSDM. 

Sipas partisë opozitare, në vend të progresit dhe krenarisë, Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, solli turp dhe poshtërim.

“Ajo që për fat të keq e dëshmojmë në periudhën e fundit është ajo që paralajmërohet si turp më i madh në historinë më të re, e ajo është kërcënimi për fshierjen e gjuhës maqedonase, apo fshierjen e identitetit maqedonas në Parlamentin Evropian. Vetëm për 365 ditë kishin sukses ta rrezikojnë që aq me aq mund arritëm ta çimentojmë atë  njëherë e përgjithmonë, e ai është identiteti ynë. LSDM siguroi gjuha të jetë e shkruar në kornizën negociuese, LSDM arriti që të nënshkruhet marrëveshje me Frontex, pa fusnota apo shtesa që jemi mësuar ti shohim” – tha Andrej Zhernovski nga LSDM.  

VMRO-DPMNE: LSDM s’ka të drejtë të flet për diplomaci

Reagojnë nga VMRO-DPMNE. Sipas tyre, as LSDM e as Andrej Zhernovski nuk kanë të drejtë të flasin për diplomaci, pasi sipas VMRO-DPMNE-së, vetë LSDM-ja ka dobësuar pozicionet maqedonase në nivel ndërkombëtarë.

“Para se të flasë për diplomaci, LSDM duhet të kërkojë falje për Zaevin, dhe për të gjitha pengesat që ka shkaktuar në nivel kombëtar. LSDM shkatërroi pozicionet maqedonase, diçka që u prit me tronditje edhe midis qarqeve më të mëdha shoviniste në Bullgari. LSDM është drejtpërdrejt fajtore për gjithçka negative në nivel diplomatik”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Nga partia në pushtet theksojnë se qeveria e VMRO-DPMNE është duke korrigjuar gabimet e LSDM-së. (Ersan Pajaziti, TVM2)