Hamasi pranon propozimin e SHBA-së për armëpushim 60-ditor në Gaza

05.07.2025 18:37

Hamas ka dhënë një përgjigje pozitive...

Hamas ka dhënë një përgjigje pozitive ndaj propozimit për një armëpushim 60-ditor në Gaza, duke hapur rrugën për një marrëveshje që synon t’i japë fund konfliktit pas muajsh përpjekjesh të pasuksesshme.

Megjithatë, grupi ka paralajmëruar se është i gatshëm të vazhdojë luftën nëse nuk ofrohet një marrëveshje e drejtë, duke kërkuar garanci se ky propozim i ri do të çojë drejt një përfundimi të plotë të luftës.

“Hamas i ka dorëzuar një përgjigje pozitive ndërmjetësve dhe lëvizja është plotësisht e gatshme të hyjë menjëherë në një raund negociatash për mekanizmin e zbatimit të kësaj kornize,"  - thuhet në deklaratën e Hamasit.

Tel Avivi ka konfirmuar se ka marrë përgjigjen nga Hamasi dhe po e shqyrton përmbajtjen e saj. Donald Trump njoftoi se Izraeli e ka pranuar kornizën paqësore të propozuar nga SHBA dhe beson se armëpushimi mund të ndodhë së shpejti.

"Besova se do të ishte një përgjigje pozitive, duhet ta përfundojmë këtë, të bëjmë diçka për Gazën," – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Megjithatë, situata mbetet e pasigurt për shkak të intensifikimit të sulmeve izraelite në Rripin e Gazës. Sipas OKB-së, vetëm në pikat e shpërndarjes janë vrarë mbi 600 persona dhe pothuajse 4,000 janë plagosur.

Mijëra palestinezë grumbullohen rregullisht aty për të marrë ushqim për familjet e tyre dhe dëshmojnë për vrasje të pamëshirshme. Zyra për të Drejtat e Njeriut kërkon hetim.

“Jam i shqetësuar dhe i frikësuar se fëmijët e mi nuk do të kenë ushqim. Kaloj natën në rrugë afër pikave të shpërndarjes derisa të marr diçka për ta. Situata është vërtet e vështirë. Djem të rinj po vriten ose plagosen. Kjo është hera e tretë që jam atje dhe ende nuk kam marrë asgjë,” – deklaroi Firas Washah - banor i Gazës.

“Sipas të dhënave më të fundit, që nga 27 qershori kemi regjistruar 613 vrasje, si në pikat e shpërndarjes ashtu edhe pranë autokolonave humanitare. Është e qartë se ushtria izraelite ka granatuar dhe qëlluar ndaj palestinezëve që përpiqeshin të arrinin në pikat e ndihmës. Nevojitet hetim dhe përgjegjësi për këto vrasje,” – u shpreh Zëdhënësja e Zyrës për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, Ravina Shamdasani.

Të hënën, Netanyahu pritet të mbërrijë në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me Trumpin. Pritet që armëpushimi në Gaza të jetë një nga temat kryesore të diskutimeve.

Propozimi më i fundit parasheh lirimin gradual të 10 pengjeve izraelite që janë gjallë dhe kthimin e trupave të 18 të tjerëve në këmbim të të burgosurve palestinezë, dispozita për shpërndarje urgjente të ndihmës humanitare, tërheqjen e trupave izraelite nga disa zona dhe fillimin e negociatave për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit.