SHBA, përmbytje në Teksas, të paktën 24 të vdekur
Të paktën 24 persona kanë vdekur...

Të paktën 24 persona kanë vdekur, përfshirë fëmijë, në përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në shtetin amerikan të Teksasit.
Të gjitha viktimat po qëndronin në një kamp veror për vajza në Qarkun Kerr, ku ndodheshin 750 fëmijë. Autoritetet thonë se kanë shpëtuar mbi 200 persona deri më tani, dhjetëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur dhe ekziston frika se numri i të vdekurve mund të rritet.
Është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.
Disa pjesë të vendit janë pa energji elektrike dhe internet, dhe banorëve në disa vende u është kërkuar të evakuohen në zona më të larta.
"Ne kemi të gjitha burimet që na nevojiten tani dhe do të vazhdojmë derisa ta përfundojmë këtë mision. Do të punojmë pa ndërprerje, derisa t'i gjejmë të gjithë njerëzit. Ajo që mund të konfirmoj në këtë pikë është se kemi afërsisht 24 viktima" – tha Sherifi i Qarkut Kerr, Larry Leita.
"Ne mbetemi në pozicion kërkim-shpëtimi. Po shpall një katastrofë shtetërore" – deklaroi Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott.
Zyrtarët shtetërorë të menaxhimit të emergjencave kishin paralajmëruar qysh të enjten se Teksasi perëndimor dhe qendror do të përballej me reshje të dendura dhe rrezik për përmbytje gjatë ditëve në vijim. (Fitim Kryeziu, TVM2)