Automjete të vjetra ushtarake dhe policore përshtaten dhe janë të gatshme për shuarjen e zjarreve

06.07.2025 14:45

Plotë 38 automjete ushtarake dhe policore...

Plotë 38 automjete ushtarake dhe policore, janë përshtatur dhe janë të gatshme të kyçen në procesin e fikjes së zjarreve, bëri të ditur Kryeministri, Hristijan Mickoski. Ai tha se këto automjete nuk kanë qenë në funksion të armatës dhe të policisë plotë 8 vite, por me këtë përshtatje, janë kursyer dhjetëra miliona euro dhe  vendi ynë shumë më i përgatitur do ta pret sezonin e verës, ku zakonisht përballet me zjarre të shumta malore.

“Bëhet fjalë për automjete të armatës dhe të policisë të cilat më shumë se 8 vite nuk kanë qenë në funksion. Nga demonstrimi që pamë, mund të konstatoj se shumë më të përgatitur do ta presim sezonin e zjarreve. Ne sot përveç që kemi kursyer dhjetëra miliona euro, ne jemi më të përgatitur, sepse kemi në dispozicion më shumë automjete. Dy helikopterë policie dhe dy helikopterë ushtarakë janë gjithashtu të gatshëm nëse është e nevojshme. Vërtet nuk mund të krahasohemi me vitet e kaluara.” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickovski.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, pas prezantimit të pajisjeve dhe automjeteve, tha se ndryshe nga vitet e kaluara, tani kemi shumë më tepër burime.

"Këto automjete me një rezervuar uji prej 1.5 tonësh mund të arrijnë në vende ku as këmba e njeriut nuk mund të shkel. Për herë të parë, kemi burime të pakrahasueshme më të mëdha për t'u përballur me zjarret". – u shpreh Stojançe Angelov nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Bëhet fjalë për pajisje të vjetruara si BTF70/80, hermalina të vjetra e të ngjashme, të cilat ndodheshin në depot e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme, dhe të cilat janë modernizuar dhe janë instaluar me rezervuarë të posaçëm uji, pompa që funksionojnë me presion të lartë dhe që mund të hyjnë në terren të paarritshëm. (Fitim Kryeziu, TVM2)