Durmishi nga Struga: Kërkesat për “Start-Up-e” janë të shumta
Ministri i Ekonomisë, Besart Durmishi...

Ministri i Ekonomisë, Besart Durmishi, në një prezantim nga Struga theksoi se plani operativ për bizneset e reja, për të cilat janë dorëzuar shumë aplikime nga Struga, duhet të shqyrtohet edhe një herë për të parë mundësitë e përfshirjes më të gjerë.
Ai bëri të ditur se përparësi do të kenë bizneset që veprojnë në zonat rurale.
“Normalisht, ata biznese apo ato kompani të cilat merren me prodhimtari në komunitetet e zonave kanë më të vështirë ekzistencën e tyre. Normalisht ata janë të vlerësuara me pikë maksimale. Qeveria, respektivisht përmes Ministrisë së Punës dhe Agjencionit, deri në 250 mijë prej 1.659, dhe përkrahja që është segmenti i çështjeve operative është bashkëpunimi ndërinstitucional, konkretisht me komunat e vendit tonë që do të mundësojë të punësohen zjarrfikës. Këta do të përkrahen nga ana e Ministrisë së Punës, duke kultivuar punësimin për pesë muaj dhe më pas ata do të marrin edhe aftësi, do të marrin përvojë pune dhe do të mund të punësohen në komuna për të rritur kapacitetin e zjarrfikësve në vendin tonë.” – tha Ministri i Ekonomisë, Besart Durmishi.
Ministri Durmishi, premtoi se për herë të parë do të përkrahen edhe zejtarët, të cilët mund të marrin mbështetje financiare nga Agjencia për Punësim.
Ai theksoi se numri i “start-up-eve” këtë vit është rritur në Strugë dhe se Ministria do të duhet të shqyrtojë edhe njëherë planin operativ për t’u përshtatur me kërkesat në terren.

Nga ana tjetër, Kryetari i Odës Ekonomike Veri-Perëndimore, Mendi Qyra, përshëndeti këto nisma, por theksoi se ato nuk janë të mjaftueshme.
“Ne jemi për çdo masë që ndihmon biznesin, por mendoj që këto masa janë modeste dhe nuk japin rezultatet e pritura. Duhet akoma më shumë organizim dhe të bëhet një plan afatgjatë, të paktën për 10 vjet, që të zgjidhen problemet reale që ka biznesi.” – deklaroi Kryetari i Odës Ekonomike Veri-Perëndimore, Mendi Qyra.
Në javët në vijim pritet që Qeveria të rishikojë kërkesën për rritjen e fondeve, në mënyrë që të përfshihen edhe më shumë qytetarë dhe biznese nga rajonet e ndryshme të vendit. (Fitore Istrefi, TVM2)
