Zgjedhjet Lokale, Orce Gjorgjievski në garë për Shkupin, VMRO do mbështet VLEN-in në zgjedhje lokale
Kryetari aktual i Kisella Vodës, Orce Gjorgievski...

Kryetari aktual i Kisella Vodës, Orce Gjorgievski, është kandidat i VMRO-DPMNE-së për kryetar të Qytetit të Shkupit në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor. Vendimi u njoftua nga kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri Hristijan Mickoski, pas seancës së sotme të Komitetit Ekzekutiv të kësaj parte.
Mickoski tha se zgjidhja për Orce Gjeorgjievskin, bazohet në sondazhe dhe në atë se si kryetar komune ai ka treguar rezultate.
“Vendimi për të është se ai si kryetar i komunës së Kisella Vodës me përkushtimin e tij maksimal, punën dhe praninë në terren dëshmoi se edhe di, edhe dëshiron të punojë për qytetarët” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
“Jam plotësisht i vetëdijshëm për shkatërrimin e qytetit, por jam i gatshëm ta ringjall Shkupin. Është koha të ndërtojmë një qytet me të cilin jo vetëm ne, por edhe gjeneratat pas nesh do të krenohen. Fokusi do të jetë kaosi në trafik dhe pastërtia. Qyteti ynë është i ndotur dhe ky është problemi më i madh për shkupjanët”, - deklaroi Orce Gjorgjievski, kandidat i VMRO-DPMNE-së për krytar në qytetin e Shkupit.
Mickoski: Është koha që BDI të shkojë në histori
Mickoski njëherit bëri të ditur se do të ketë bashkëpunim me partitë politike, pjesë të koalicionit qeverisës. Në komunat ku ZNAM do të ketë kandidatë, VMRO-DPMNE do ta mbështes, por në listat për këshilltarë secila parti do të garojë veçmas.
Bashkëpunim, siç tha Mickoski do të ketë edhe me VLEN-in, me të vetmin qëllim për të dërguar BDI-në histori.
“Ne jemi në koialicion qeveritar me VLEN-in dhe sigurisht se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në zgjedhjet lokale, për shkak se jam i bindur se ajo parti politike te shqiptarët, e cila për më tepër se 20 vite u pasurua në kurriz të qytetarëve maqedonas, para se gjithash të shqiptarëve, duhet të mposhtet dhe të shkojë në histori dhe mendoj se këto zgjedhjet lokale janë një mundësi e shkëlqyer që kjo të ndodh” – u shpreh Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
LSDM ende nuk e ka shpallur emrin e kandidatit të tyre për kryetar të Shkupit, ndërsa ka bërë pubklike emrat e kandidatëve në shumicën e komunave.
Përderisa partitë politike maqedonase po vazhdojnë me prezentimin e kandidatëve për kryetarë të komunave, partitë politike shqiptare ende nuk kanë bërë një gjë të tillë.
VLEN vetëm ka treguar se do të mbështet kandidaturën e Mendi Qyrës për kryetar të komunës së Strugës, ndërsa kanë paralajmëruar se deri në fund të korrikut do ti bëjnë publike shumicën e kandidatëve.
Edhe Fronti Evropian, i udhëhequr nga BDI është në fazë të anketimeve të brendshme. (Ersan Pajaziti, TVM2)
