QMK: Koordinojmë shuarjen e zjarreve (VIDEO)

06.07.2025 17:04

Temperaturat e larta kanë shtuar rrezikun ...

“Temperaturat e larta kanë shtuar rrezikun e shfaqjes së zjarreve në vend, sidomos nëpër vende ku janë të grumbulluara deponitë e egra. Sa janë të gatshme institucionet përkatëse për zgjidhjen e kësaj problematike dhe evitimin e rreziqeve nga përhapja masive e zjarreve, që paraqet rrezik si për shëndetin e njerëzve ashtu edhe në rrezikimin e vendbanimeve.”

Një zjarr i madh para disa ditëve ishte shkaktuar në një deponi në lagjen Vizbeg të Shkupit. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se e kishin paralajmëruar disa herë Qytetin e Shkupit për rrezikun e shpërthimit të zjarrit në atë deponi.

“Deponitë e egra janë qindpërqind në ingerencë të komunave përkatëse. Rastin e fundit e kishim me deponinë në Vizbeg ku ende është aktiv zjarri në disa momente. Paralajmëruam Qytetin e Shkupit një javë më parë se mund të ketë rrezik aty, por nuk u mor seriozisht reagimi ynë.” – tha Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali.

Drejtori Ali njëherit sqaron se Qendra për Menaxhim me Kriza është institucion koordinues mes institucioneve për intervenim sa më të shpejtë në rastet e shpërthimit të zjarreve.

“Të gjitha institucionet relevante - komunat, Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, MPB-në, Armatën dhe të gjitha institucionet tjera, Pyjet e Maqedonisë etj.” – u shpreh Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali.

Osmani: Deponitë, ndër problemet kryesore ekologjike

Një ndër problemet ekologjike që ka vendi janë deponitë e egra, thotë profesori universitar Afrim Osmani.

“Një nga problemet kyçe me të cilat ballafaqofet RMV-ja, duke i përfshirë të gjitha komunat pa përjashtim, janë deponitë e egra. Për krijimin e deponive të egra, gishtin do ta kisha drejtuar te institucionet kompetente, të cilat ndoshta nuk e bëjnë detyrën deri në fund siç e parasheh ligji. Por, edhe ne si qytetarë nuk mund të përjashtohemi nga kjo për shkak të bashkëpunimit me institucionet kompetente. Çdo lëvizje në këtë drejtim, çdo shkaktim apo dëmtim të mjedisit jetësor, qoftë me hedhjen e mbeturinave në vende të papërshtatshme apo hapjes së deponive të egra, këto raste duhet t’i denoncojmë pranë institucioneve kompetente.” – deklaroi ambientalisti, Afrim Osmani.

Kamberi: Djegia e deponive dëmton shëndetin e qytetarëve

Mjeku Sedat Kamberi thotë se zjarret dhe deponitë dëmtojnë edhe  shëndetin e qytetarëve.

“Zjarret shumë shpesh lajmërohen në periudhën e tashme kohore, paraqesin problem shumë serioz për shëndetin e përgjithshëm të popullatës, posaçërisht të asaj popullate e cila ndodhet afër vendbanimit me deponi. Problematika kruciale qëndron aty se një numër i madh i personave mund të rezultojnë alergjik në substancat të cilat hidhen në ajër si rezultat i zjarreve që lajmërohen, qofshin ato nga deponitë, ledina apo pyje.” – theksoi mjeku Sadat Kamberi.

Po ashtu mjeku Kamberi thotë se dioksidi dhe monoksidi i karbonit, të cilat lirohen si rezultat i zjarreve, e atakojnë çdo organizëm, por më të rrezikuar janë pacientët me sëmundje në organet respiratore. (Fitore Demolli, TVM2)