LSDM: Investimet e huaja në nivel rekord të ulët

06.07.2025 18:08

Investimet e huaja përplasin partië politike në vend...

Investimet e huaja përplasin partië politike në vend. Sipas LSDM-së statistikat zyrtare, tregojnë se investimet e huaja direkte në tremujorin e parë të vitit 2025 arrijnë 135,8 milionë euro, që paraqet rënie krahasuar me fundin e vitit 2024, kur ato ishin 397,5 milionë euro.

Nga LSDM thonë se këto shifra përbëjnë nivelin më të ulët të investimeve që nga viti 2020 dhe i atribuojnë këtë situatë politikave ekonomike të qeverisë aktuale.

“Kjo qeveri as nuk di dhe as nuk ka kapacitet se si t’i mbajë investimet e huaja ekzistuese, e aq më pak të tërheqë të reja. Për vetëm një vit, kjo qeveri e ka shkatërruar klimën afariste që ne e kishim ndërtuar me kujdes. Kompanitë e huaja investojnë aty ku ka stabilitet, rregulla të qarta, vizion ekonomik dhe sundim të ligjit. Asgjë nga këto nuk ekziston sot në Maqedoni me Qeverinë e VMRO-DPMNE-së.” – tha Kaja Shukova nga LSDM.

VMRO: LSDM e la shtetin në kolaps, po e ringrejmë

Në anën tjetër, VMRO-DPMNE mohon kategorikisht këto akuza dhe i rikujton LSDM-së trashëgiminë që ka lënë pas.

“Në 7 vite pushtet, LSDM e shkatërroi sistemin, e la buxhetin bosh dhe institucionet në kolaps. Më shumë se 600 mijë qytetarë jetonin me më pak se 150 denarë në ditë, ndërsa elita e tyre përfitonte nga pushteti”, - thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Nga partia në pushtet kundërshtojnë të dhënat e përzgjedhura të LSDM-së, duke deklaruar se në vitin 2024 janë arritur 1.2 miliardë euro investime të huaja sipas tyre, një nivel rekord  dhe se po ndërtohen autostrada, mbështeten komunat dhe bizneset me mbi 500 milionë euro, si dhe po hapen fabrika e vende të reja pune. (Ersan Pajaziti, TVM2)