Maqedoni
Qeveria me reforma në Administratën Publike, Mickoski: Administrata do të jetë në shërbim të plotë të qytetarëve
07.07.2025 14:04
Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi reforma thelbësore në administratën publike dhe në arsim....

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi reforma thelbësore në administratën publike dhe në arsim. Ai tha se synimi është një administratë digjitale, transparente dhe e përgjegjshme, që do t’u shërbejë qytetarëve në kohë, saktë dhe pa pritje të panevojshme. Sipas tij, kjo do të arrihet përmes Sistemit të ri për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, reformë kjo që do të vendosë rend në administratë. Sipas Mickoskit, kjo do të mundësojë që qytetarët të mund të shohin qartë kush ku punon dhe sa paguhet, duke i dhënë fund kaosit dhe partizimit.
“Çdo qytetar do të marrë përgjigje. Në kohë, saktë dhe pa pritje. Do të fusim një shërbim të ri ku administrata, për herë të parë, do të jetë ajo që do të kërkojë qytetarin dhe jo e kundërta. Do t’i japim fund heshtjes, vonesave dhe arrogancës burokratike. Do të sigurojmë një kohë maksimale të garantuar të pritjes në institucione. Do të ketë kufij të qartë dhe çdo shkelje do të ndëshkohet. Respekti për kohën e qytetarit do të jetë vlerë themelore e administratës së re publike. Do të vendosim një Listë Publike me kohët e pritjes në të gjitha institucionet shëndetësore. Transparenca do të bëhet standard, pacientët do të dinë se ku do të marrin shërbimin më të shpejtë.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
Minçev: Hapi i parë, sistemimi në mënyrë efikase i administratorëve
Ministri i Administratës Publike njoftoi se nesër do të miratohen katër ligje që janë pjesë e agjendës për reformat në administratën publike. Ai bëri të ditur se aktualisht në vend ka rreth 130 mijë të punësuar në administratë dhe, për momentin, nuk parashikohet shkarkimi i ndonjërit prej tyre. Ministri shtoi se hapi i parë i reformës do të jetë sistemimi sa më efikas i administratorëve.
“Ekzistojnë disa paketa, le të themi me ndryshime dhe masa të tjera. Ne duam të përpiqemi që punonjësit që kemi t’i vendosim në funksion. Ka institucione ku kemi mungesë kuadrosh, por edhe vende ku kemi tepër punonjës, prandaj hapi i parë është t’i sistemojmë të gjithë në mënyrë efikase. Shpresoj që nesër të miratohet një paketë me katër ligje të reja, të cilat nuk janë miratuar prej dhjetë vitesh dhe mund të them se kjo përbën një revolucion në fillimin e reformave në administratën publike.”, - theksoi ministri i Administratës Publike, Goran Minçev.
Paralelisht me reformat në administratë, nga Qeveria njoftojnë edhe hapa inovative në sistemin arsimor, të përshtatura me nevojat bashkëkohore dhe trendet e ardhshme.
ARMEND MURSELI
