Botë

Kuvendi i Kosovës, dështoi për të 43-ën herë seanca konstituive

07.07.2025 14:23

Edhe vazhdimi i 43-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës rikonfirmoi se palët nuk kanë ndryshuar qëndrim....

Edhe vazhdimi i 43-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës rikonfirmoi se palët nuk kanë ndryshuar qëndrim. Derisa kryesuesi i seancës, Avni Dehari, përsëriti propozimin për formimin e komisionit për votim të fshehtë, opozita insiston në qëndrimin se ky propozim i kryesuesit është në kundërshtim me Kushtetutën.
 
“Ftoj PDK-në që të propozojë një deputet për anëtar të këtij komisioni.”, - u shpreh kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.
 
“Në emër të PDK-së dhe në emër të përgjegjësisë ndaj qytetarëve që na kanë votuar, i nderuar kryesues, ta ushtroni detyrën tuaj me paanshmëri, integritet dhe me respektim të plotë të Kushtetutës së vendit tonë.”, - theksoi Ariana Musliu nga PDK. 
 
“Ju lutem, foltorja të zgjidhet për të ofruar zgjidhje. Regjia le ta ndalë mikrofonin.”, - u shpreh kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.
 
“LDK-ja ka një propozim, ju lutem kthehuni në kornizën kushtetuese që ta tejkalojmë këtë shou, këtë cirk politik që po e bëni tash e 43 herë.”, - theksoi Besian Mustafa nga LDK.       
                                                                       
“Regjia ta ndërpresë mikrofonin.”, - tha kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.
 
Ndërkohë kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk e kufizon, nëse ajo një herë nuk i merr votat për kryeparlamentare me votim të fshehur do të tërhiqet nga kandidatura. 
 
“Gjykata Kushtetuese nuk ka bërë përcaktime ose nuk ka vendosur ndonjë kriter se sa herë duhet të kandidojë një kandidat, por ajo që besoj është e rëndësishme ta themi është që nëse me votim të fshehtë nuk i kam 61 vota, unë kam thënë që tërhiqem.”, - deklaroi kandidatja për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
 
Në rrethana kur opozita nuk votoi as për, as kundër, e as e përmbajtur, për formimin e komisionit votuan vetëm 55 deputetë, prandaj kryesuesi e ndërpreu seancën për ta caktuar vazhdimin e saj për 9 korrik. 
 
GYLTENE SINANI