Ministria e Shëndetësisë, pacientët raportuan ryshfet dhe trajtim joadekuat
Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar një vegël elektronike....

Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar një vegël elektronike për raportimin e parregullsive, përmes të cilit deri më tani kanë reaguar 39 qytetarë.
Të dhënat fillestare tregojnë se llojet më të zakonshme të abuzimeve të raportuara janë: sjellja joprofesionale, injorimi i pacientit, trajtimi i papërshtatshëm, refuzimi i shërbimeve shëndetësore, vonesa në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe kërkimi i ryshfetit.
Ministri Azir Aliu tha se është ende shumë herët për të publikuar emrat e institucioneve, sepse raportet janë në fazën e tyre fillestare.
“Për t’u siguruar nëse informacioni është i saktë, kemi krijuar një zyrë që merret me këtë pjesë të informacionit. Do të kemi një takim me autoritetet në institucionet e përmendura dhe do të arrijmë në përgjigje ose në një refuzim të asaj që është dhënë si informacion. Megjithatë, ky është informacion fillestar, nuk do të thotë se është i saktë. Ministria e Shëndetësisë krijon politika shëndetësore dhe nëse vërtetohet se ka elemente të shkeljes së ligjit, do të përcillet për përpunim të mëtejshëm. Në këtë fazë është shumë herët për të emërtuar klinika, kjo është faza e parë. Ne kemi krijuar një metodologji, jemi të vetëdijshëm se kjo çështje është me interes publik, Le t'ua lëmë kolegëve tanë dhe institucioneve që janë përgjegjëse të punojnë, nëse këto akuza janë të sakta.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Ministri Aliu po ashtu theksoi se u mbajt “Kabineti i Hapur” i parë për një takim të drejtpërdrejtë mes qytetarëve dhe ministrisë. Qytetarët kishin sugjerime konstruktive, disa kishin ankesa për shërbime të pamjaftueshme shëndetësore, dhe disa donin të informoheshin për misionin e ministrisë.
“Disa prindër erdhën, sepse fëmijët e tyre po përfundojnë studimet në universitet. Ata duan të dinë nëse do të ketë vende të reja pune. Ne kemi filluar një politikë shpërndarjeje sipas nevojave reale, kështu që disa specializantë u refuzuan për transferim nga një qytet tjetër në Shkup, në mënyrë që të ketë specializantë dhe kujdes shëndetësor që do t'u shërbejë qytetarëve.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Ministri Aliu këto komente i bëri me rastin e një viti të punës së Qeverisë, duke prezantuar sukseset kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë, nga përmirësimi i aksesit në shërbimet shëndetësore, përmes mjeteve digjitale dhe investimeve në infrastrukturë deri te rivendosja e besimit të qytetarëve në sistemin shëndetësor. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)
