Maqedoni

Zgjedhjet lokale, Gashi: I shpallim në pjesën e parë të gushtit

07.07.2025 14:54

Zgjedhjet lokale pritet të shpallen në pjesën e parë të muajit gusht....

Zgjedhjet lokale pritet të shpallen në pjesën e parë të muajit gusht. Këtë e konfirmon kryeparlamentari, Afrim Gashi. Sipas tij, Kuvendi do të respektojë afatet ligjore për shpalljen e zgjedhjeve.
 
“Zgjedhjet do t’i shpallim në pjesën e parë të gushtit. Ende nuk kemi konfirmuar datën e saktë. Sipas kodit zgjedhor, prej momentit të shpalljes së zgjedhjeve nuk duhet të kalojmë më shumë se 90 ditë dhe më pak se 70 ditë. Andaj zgjedhjet lokale do të mbahen në pjesën e dytë të tetorit dhe ne duhet të respektojmë afatet e parashikuara me ligj.”, - u shpreh kryeparlamentari, Afrim Gashi.
 
Ndërkohë ende nuk dihen rregullat se si do të zhvillohet gara, pasi ndryshimet në kodin zgjedhor kanë ngecur në lexim të dytë. Liberal-demokratët midis tjerash kërkojnë të rregullohet çështja e listave të pavarura, pasi kushtetuesja shfuqizoi nene të ligjit që parashikojnë grumbullimin e 1% të nënshkrimeve nga trupi i përgjithshëm votues. Kryeparlamentari thotë se ende nuk ka dakordim definitiv nga partitë politike për ta vënë në rend dite këtë propozim-ligj.
 
Partitë ‘përplasen’ për kandidaturat
 
Ndërkohë partitë politike janë duke kundërshtuar kandidatët e njëra-tjetrës. Socialdemokratët konsiderojnë se i nominuari për qytetin e Shkupit, Orce Gjorgjievski, është kryetar i partisë VMRO – DPMNE, e jo i qytetarëve, sipas tyre me projekte të dështuara në menaxhimin e komunës së Kisella Vodës.  
 
“Gjorgjievski premtoi dhjetëra projekte, por mezi realizoi 20% prej tyre. I tradhtoi qytetarët e Kisella Vodës, ndërkaq tani po i ofrohet shkupjanëve me retorikë të ngjashme të zbrazët. Shkupi nuk guxon të bëhet version i madh i Kisella Vodës, të shfrytëzohet arka e qytetit për nevojat e partisë.”, - deklaroi Lubica Jançevska nga LSDM.
 
Nga VMRO – DPMNE thonë se socialdemokratët kanë nominuar emra të njohur, por edhe anonim, të prirë për humbje.
 
“Kandidat për Jegunovcë kandidojnë Darko Bllazhevskin, ish-kryetarin e komunës, të cilin qytetarët nuk e mbajnë mend për asnjë projekt. Ai nuk ndërtoi ujësjellësin, as kanalizimin, por mbylli ndërmarrje publike. LSD në Sopishte po kandidon Xvonko Vasevin, i cili për dekada nuk jeton në këtë komunë.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO – DPMNE.
 
Pritet që partitë shqiptare të finalizojnë emrat e kandidatëve, të cilët do të zhvillojnë betejën në 17 komuna.
 
MERAL ISMAILI