Maqedoni
Fillkovi, një vit nën drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë
07.07.2025 15:13
Në 12 muajt e fundit, Ministria e Drejtësisë ka përgatitur dhe paraqitur në Qeveri 22 ligje sistemore....

Në 12 muajt e fundit, Ministria e Drejtësisë ka përgatitur dhe paraqitur në Qeveri 22 ligje sistemore, 13 prej të cilave parashikohen drejtpërdrejt nga Agjenda Reformuese. Kryesori mes tyre është projektligji i ri për Këshillin Gjyqësor, i cili përfaqëson një ndryshim themelor në mënyrën se si zgjidhen dhe shkarkohen gjyqtarët, si dhe në përgjegjësinë e vetë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Këto janë disa nga aktivitetet e Ministrisë së Drejtësisë brenda një viti, nën drejtimin e ministrit, Igor Fillkov.
“Nga tetë ligjet në agjendën e reformuese me afat deri në qershor 2025, 7 prej tyre janë dërguar tashmë në procedurë qeveritare: ligji për pagat e gjyqtarëve, ligji për pagat e prokurorëve publikë, ligji për pagat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, ligji për pagat e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë, ligji për Këshillin Gjyqësor, ligji për shërbimin gjyqësor, ligji për shërbimin e prokurorit publik. Lidhur me ligjin e tetë nga agjenda reformuese, Kodin Zgjedhor, teksti është përgatitur nga shërbimet eksperte të Ministrisë së Drejtësisë, në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov.
Përveç ligjeve reformuese, Ministria e Drejtësisë ka përgatitur edhe 2 ligje të rëndësishme që nuk janë pjesë e agjendës reformuese, por rrjedhin nga detyrimet ndaj BE-së dhe rekomandimet e GREKO-s. Këto janë ligji për mbrojtjen e informatorëve dhe ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit.
“Reformat nuk mbetën vetëm në letër. Ne e shfuqizuam vendimin e Qeverisë së mëparshme që e rriti dhjetëfish tarifën noteriale, u aktivizua Dhoma e Ekspertëve, filloi aplikimi i lidhjeve elektronike për masat zbatuese, u hap një zyrë për mbështetjen e viktimave të dhunës, formuam një Këshill të ri për Koordinimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Gjyqësor, promovuam udhëzuesin e parë për ndihmë ligjore falas në procedurat e azilit, filluam një fushatë edukative “Kompetenca jonë, e drejta juaj”.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov.
Fillkovi tha se puna e tij do të vazhdojë të bazohet në llogaridhënien dhe përgatitjen e ligjeve në bashkëpunim me ekspert dhe trupa profesionale, të cilët do të jenë në interes të qytetarëve.
ABIBE QAILI
