QMK: Autoritetet po vazhdojnë luftën me zjarret
Vendi vazhdon luftën me zjarret...

Vendi vazhdon luftën me zjarret që kanë përfshirë disa lokacione në vend. Në komunën Çuçer Sandevë, midis fshatrave Bllacë dhe Çuçer, po digjet një pyll i përzier dhe vegjetacion i ulët. Një degë e zjarrit është ndërprerë dhe shuar, por mbetet edhe një degë aktive që po përhapet drejt një terreni kodrinoro-malor krejtësisht i paarritshëm.
Intervenimi është i vështirësuar, pasi zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të madhe. Tre helikopterët filluan veprimet mbi zjarrin.
Në zjarr po veprojnë edhe forcat e Brigadës së Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit, ndërmarrjet publike të komunës, Kryqi i Kuq, si dhe ekipe me automjete zjarrfikëse të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Qendra për Menaxhim me Kriza është në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente në terren.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, tha se me shumë gjasa, zjarri në rajonin e Bllacës dhe Çuçer Sandevës ka nisur nga mbetja apo hedhja e ndonjë cigareje.
Sipas tij, zjarri mund të jetë ndezur edhe qëllimisht.
“Mëngjesin e sotëm kishim zjarr në komunën Çuçer Sandevë, midis fshatrave Bllacë dhe Çuçer. Mendoj se shkak për ndezjen e zjarrit me shumë gjasa është ose mbetje e cigares, ose ndezje e qëllimshme, nuk mund ta përjashtojmë as atë mundësi, dhe lëvizte lart drejt malit. Kur e pashë fillimin, e dija se do të kemi zjarr të vështirë, sepse është terren ekstrem i pjerrët. Relativisht jam i sigurt që do ta lokalizojmë, por jo edhe ta shuajmë. Fryn erë. Era, posaçërisht në ato terrene të larta e vështirëson procesin, sepse atje, besoj, është mbi 1.000 m lartësi, era ndryshon drejtimin.”, - deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.
Qendra për Menaxhim me Kriza informoi se zjarri është nën kontroll në lagjen Gege në komunën e Gjorçe Petrovit, i cili u përhap drejt lagjes Bardovcë dhe ka përfshirë një pjesë të hapësirës së oborrit të Spitalit të Psikiatrisë “Bardovcë”, i mbuluar me bar të gjatë dhe pemë të thata.
“Zjarri paraqiste rrezik që të përhapet në të gjithë kompleksin e spitalit. Menjëherë është filluar me evakuimin e pacientëve dhe personelit, të cilët janë nxjerrë të sigurt jashtë objektit. Për momentin, zjarri është vënë nën kontroll dhe nuk ka nevojë për mbështetje plotësuese ajrore.”, u tha nga QMK-ja.
Rruga për komunikacion drejt Bllacës është lëshuar në përdorim dhe është ndërprerë ndalesa për mjete të rënda të transportit, siç janë kamionët dhe autobusët. Dje në zjarrin që u përhap pranë urës mbi lumin Lepenc, në afërsi të Stacionit Hekurudhor “Gjorçe Petrov”, u shënua edhe viktima e parë nga zjarri.
Në SPB - Shkup është denoncuar se në njërën nga hapësirat ndihmëse është gjetur një trup i djegur i një njeriu, si dhe trupa të djegur bagëtish. (Fitore Demolli, TVM2)
