Debat mbi ribalancin e buxhetit, LSDM kërkon mjete për viktimat në Koçan
Opozita parashtroi amendamente...

Opozita parashtroi amendamente, ndërsa Qeveria nuk i pranoi. Në pak fjalë, kështu u duk debati i sotëm në komisionin për financa dhe buxhet për ribalancin e buxhetit për vitin 2025.
LSDM, nëpërmjet një amendamenti, kërkoi të sigurohen mjete për kompensim financiar për viktimat e tragjedisë në Koçan, duke thënë se në këtë mënyrë shteti duhet të tregojë se institucionet janë për qytetarët.
“Bëhet fjalë për mjete financiare në vlerë prej 934 milionë denarë, në të cilën janë përfshirë kompensim financiar për çdo person të vdekur dhe ndihmën financiare, të cilën duhet ta gëzojnë të lënduarit në bazë të nivelit të invaliditetit.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
Jankullovski: LSDM po keqpërdor tragjedinë
Zëvendësministri i Financave në përgjigjen e tij akuzoi LSDM-në se po përpiqet të fitojë pikë politike nga tragjedia në Koçan, ndërsa nuk pranoi amendamentin.
“Me vetëm një amendament edhe vet e dini se nuk do ta zgjidhim problemin. Qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me familjet, i dëgjon kërkesat e tyre. Prandaj, jemi të fokusuar në krijimin e një zgjidhjeje sistematike. Pra, ndihma financiare për të vdekurit dhe të lënduarit e tragjedisë do të sigurohet përmes një qasjeje sistematike dhe përmes zgjidhjeve sistematike.”, - deklaroi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
FE kërkon përfaqësim në presidencë
Ndërkohë, deputeti i Frontit Evropian, Salih Murat, nëpërmjet amendamenteve kërkoi mjete shtesë për punësime në institucionet e Presidencës, për shkak se, siç tha, përfaqësimi i drejtë në këtë institucion lë për të dëshiruar.
“Përfaqësimi i drejtë në institucionin President i shtetit është katastrofale. Nga 60 të punësuar ka vetëm një nga komuniteti turk, ndërsa i dobët është përfaqësimi edhe i komuniteteve tjera jomaqedonase. Kërkojmë rreth 12 milionë denarë, që në këtë mënyrë të pasqyrohet gjendja reale në shtet.”, - theksoi Salih Murat nga Fronti Evropian.
Jankullovski: Punësimet, të parapara në buxhet
Amendamenti nuk u pranua nga ana e zëvendësministrit të Financave, me arsyetimin se për buxhet janë parashikuar mjete për punësime në nivel vjetor.
“Në buxhetin e shtetit janë planifikuar punësime dhe në këtë institucion buxhetor, ato punësime do të bëhen në përputhje me planet vjetore për punësime. Detyra e Ministrisë së Financave është që të sigurojë mjetet financiare, përkatësisht të miratojë pajtueshmërinë. Pastaj, detyrë e secilit institucion është të realizojë punësimin konkret.”, - u shpreh zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.
Të ardhurat totale në ribalancimin e buxhetit janë parashikuar në nivel prej 362.4 miliardë denarësh, ndërsa shpenzimet në shumën prej 403.7 miliardë denarësh, që është për një përqind më shumë në krahasim me parashikimet fillestare të planit për këtë vit. (Ersan Pajaziti, TVM2)
