Maqedoni
Punësimet e shqiptarëve në administratë, BDI: Shqiptarët të përjashtuar në Ministrinë e Bujqësisë
07.07.2025 16:31
Reformat në administratën publike nuk i bëjnë përshtypje opozitës shqiptare...

Reformat në administratën publike nuk i bëjnë përshtypje opozitës shqiptare, pasi siç thonë, shqiptarët po anashkalohen në të gjithë sektorët. Bashkimi Demokratik për Integrim ka shpreh indinjatën me konkursin e fundit të shpallur nga Ministria e Bujqësisë, ku siç thonë, nga të gjithë të emëruarit si këshilltarë shtetërorë, udhëheqës të sektorëve, të njësive dhe këshilltarë të zakonshëm, asnjë nuk është shqiptar.
“Rezultati është i qartë: 10 me 0. Kjo është vetëm një tjetër dëshmi se kjo qeveri, e cila nuk ka legjitimitet etnik, po zbaton një plan sistematik për përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet shtetërore dhe publike. Ky plan nuk është i ri. Në qendër të këtij skenari të rrezikshëm qëndron diskriminimi i qëllimshëm i shqiptarëve, qëllimi i të cilit është zbehja e rolit të tyre si faktor shtetformues dhe institucional. Rasti i Ministrisë së Bujqësisë është vetëm vazhdimësi e kësaj agjende.”, - thanë nga BDI.
Hoxha: Përgjegjësi të kërkohet tek ish-zëvendësministri, Bexheti
Lidhur me këtë ka reaguar zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha. Ai sqaron se nuk bëhet fjalë për punësime të reja, por për avancime të brendshme të stafit ekzistues në Ministrinë e Bujqësisë. Për avancimet për të cilat kritikon BDI, gishtin e drejton tek ish zëvendësministri, Flakron Bexheti.
“Unë jam në detyrë vetëm tre javë. Këto janë procedura që janë nisur shumë kohë më parë, kur përgjegjës për sektorin ishte dikush tjetër. Ka qenë detyrë e ish-zëvendësministrit, që për gati një vit kishte përgjegjësinë për këtë dikaster, që të analizonte strukturën e stafit dhe të niste procedurat e avancimit për të punësuarit shqiptarë. Nuk e ka bërë. As që është shqetësuar. Është mjaftuar vetëm me emërimin e një shoferi personal. Sot në ministri ke shqiptarë që punojnë prej 10-15 vitesh me titullin “asistent i ri”, sepse kështu i ka lënë BDI-ja.”, - deklaroi zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha.
ASh: Bëhet fjalë për diskriminim të pastër institucional
Ndërkohe, edhe Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Arben Taravari, ka reaguar lidhur me punësimet në disa institucione, duke akuzuar pushtetin se po vepron në mënyrë të padrejtë ndaj shqiptarëve.
“Përjashtimi etnik vazhdon edhe në Ministrinë e re të Sportit, ku nga gjithsej 50 të punësuar, vetëm 4 janë shqiptarë dhe asnjë prej tyre nuk ka pozicion udhëheqës. Alarmi bëhet më i fortë pas raundit të fundit të punësimeve: 15 të punësuar të rinj, asnjë shqiptar. Po ashtu, vendimi për 32 punësime të reja në Regjistrin Qendror të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët sërish mungojnë, e dëshmon qartë se nuk bëhet fjalë për rastësi, por për diskriminim të pastër institucional.”, - thanë nga ASh-ja.
Opozita shqiptare thotë se do të vazhdojë të ngritë zërin në çdo forum dhe institucion, brenda dhe jashtë vendit, për ta ndalur këtë padrejtësi dhe për të mbrojtur barazinë dhe përfaqësimin real të shqiptarëve në të gjitha nivelet e shtetit.
ARMEND MURSELI
