Botë

Teksas, javë me reshje të tmerrshme dhe viktima

07.07.2025 16:57

Javë me reshje të tmerrshme në Teksas, ku deri më tani janë konfirmuar 82 viktima...

Javë me reshje të tmerrshme në Teksas, ku deri më tani janë konfirmuar 82 viktima, prej të cilëve 28 janë fëmijë dhe 41 të tjerë konsiderohen ende të zhdukur. Ekipet dhe banorët vazhdojnë me kërkime përreth lumit Guadalupe, ku të premten, më 4 korrik, niveli i ujit u ngrit në 8 metra, duke mbuluar makina dhe shtëpi të banorëve.  Ndër më të zhdukurit janë nga kampi “Mistik” veror i vajzave, që gjendet në qarkun e Kërit. Guvernatori Greg Abot, i cili ishte ndër të parët që e vizitoi kampin, deklaroi për pamje të tmerrshme nga kjo fatkeqësi.
 
“E kisha mundësinë dje të vizitoj kampin “Mistik” dhe ta shoh drejtpërdrejt se çfarë ka ndodhur aty, po ashtu edhe përgjatë rrjedhës. Thjesht është një tmerr se nëpër çfarë kanë kaluar ata fëmijë.”, - deklaroi guvernatori, Greg Abot. 
 
Të afërmit e viktimave flasin për tmerrin e përjetuar nga fatkeqësia.
 
Dje  filluam, në mëngjes. Gjetëm dy vajza në dyqanin e gjuetisë  dhe pastaj rreth orës 10:00 e gjetëm edhe një vajzë tjetër të vogël të mbuluar nga mbetjet e pemëve afër udhëkryqit te dyqani i gjuetisë. Rojet dhe ushtarët na ndihmuan ta nxjerrim nga pemët e rëna  dhe pastaj pak më vonë më informuan se vajza e vogël ishte njëra nga vajzat e zhdukura të kampit “Mistik”.”, - theksoi miku u viktimave nga reshjet, Xhastin Morales.
 
“Dhe shtëpia e tyre u rrënua në ora 04:00 të mëngjesit dhe po i merrte rryma e ujit dhe në telefonin e saj, mesazhi i fundit që morën ishte “Po na merr uji” dhe pastaj telefoni u fik.”, - u shpreh mikja e viktimave nga reshjet, Lusi Deppe.
 
Ndërsa banorët e Teksasit po bëhen gati për rikuperim nga kjo tragjedi e madhe që i goditi, rreziqe të tjera nga vërshimet vazhdojnë të afrohen. Sa i përket guvernatorit Greg Abot, ai thotë që vërshimet e përnjëhershme ende përfaqësojnë rrezik për disa regjione në Teksas në  ditët e ardhshme, pasi që pritet të ketë reshje të tjera të dendura shiu.  
 
ASDREN ÇELIKU