Maqedoni
Vazhdon lufta me zjarret, bllokohet herë pas here rruga drejt PK Bllacë
07.07.2025 19:46
Vazhdon beteja për shuarjen e zjarreve në zonën malore mes fshatrave të Çuçer Sandevës - Bllacë...

Vazhdon beteja për shuarjen e zjarreve në zonën malore mes fshatrave të Çuçer Sandevës - Bllacë në afërsi të vendkalimit kufitar Bllacë. Për dallim nga mëngjesi tani zjarri këtu është përhapur në më shumë krahë të zonës malore, disa prej të cilave ekipet vështirë mund t’u afrohen vatrave. Ekipet e përziera të zjarrfësikëve, ndërmarrjeve të ndryshme komunale, Kryqit të Kuq dhe Drejtorisë për Mbrojte dhe Shpëtim janë duke intervenuar nga ajri dhe toka, duke hedhur mbi 70 tonë ujë por erra vështirëson shuarjen e tyre të plotë. Për shkak të rrezikut të përhapjes së zjarrit, gjatë ditës së sotme, herë pas here, është ndërprerë qarkullimi në dy drejtimet Stenkovec – Vendkalimi Kufitar Bllacë si pika kufitare e Bllacës.
Autoritetet e drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dyshojnë se ky zjarr mund të jetë përhapur si pasojë e cigares së hedhur ose është ndezur qëllimisht.
“Mendoj se shkak për ndezjen e zjarrit me shumë gjasa është ose mbetje e cigares, ose ndezje e qëllimshme, nuk mund ta përjashtojmë as atë mundësi, dhe lëvizte lart drejt malit. Kur e pashë fillimin, e dija se do të kemi zjarr të vështirë, sepse është terren ekstrem i pjerrët. Relativisht jam i sigurt që do ta lokalizojmë, por jo edhe ta shuajmë. Frynë erë. Era, posaçërisht në ato terrene të larta e vështirëson procesin, sepse atje besoj është mbi 1000m lartësi, era ndryshon drejtimin.”, deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.
Autoritetet e QMK-së informojnë se është shuar zjarri në vendbanimin Gege në Komunën e Gjorçe Petrovit, i cili u përhap drejt lagjes Bardovcë dhe i cili përfshiu një pjesë të hapësirës së oborrit të Spitalit të Psikiatrisë Bardovcë. Por nga ana tjetër MPB- ja ka informuar se gjatë shuarjes së zjarrit në afërsi të lumit Lepenec afër Stacionti Hekurudhor Gjorce Petrov është gjetur trup i djegur i një personi si dhe disa kafshë të djegura.
“Afër urës së lumit Lepenec, në afërsi të stacionit hekurudhor Gjroce Petrov, është përhapur një zjarr fillimisht te bari i thatë, i cili më pas është përhapur edhe në disa hapësira shtesë dhe stallën, në të cilën ndodheshin disa kafësh shtëpiake. Ky zjarr është shuar nga ana e zjarrëfiksëve, ndërsa në një nga hapësirat është gjetur trup i djegur i një personi si dhe disa kafshë të djegura. MPB po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.”, deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.
Zjarri në zonën malore Çuçer Sandevë Bllacë u përhap të dielën pas dite, ndërsa gjatë gjithë mbrëmjes dhe mëngjesin e sotëm ekipet e përziera intervenuan mbi to. Deri më tani aty kryesisht është djegur shkurre dhe bimë me kërcell të ulët dhe vegjetacion i ulët. Për të evituar zjarret dhe përhapjen e tyre, nga 1 korriku e deri më 31 gusht është në fuqi ndalesa e plotë e lëvizjes nëpër zonat malore.
REXHEP QAMILI
